Kosova

Sulmohen gazetarët me gjësende të forta në Leposaviq


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarët e mediave të ndryshme janë sulmuar para pak çastesh nga protestuesit serbë në Komunën e Leposaviqit.

Sipas AGK-së, në një transmetim direkt të mediave, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, KOHËS dhe mediave të tjera të raportonin drejtpërdrejtë nga kjo komunë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës, që t’u sigurojë një perimetër të sigurt të raportimit kolegëve tanë”, thuhet në njoftim.

“AGK-ja, ju bën thirrje të gjithë kolegëve që të respektojnë udhëzimet e dhëna nga zyrtarët e Policisë së Kosovës që janë prezent atje, dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit”.

Ndërsa Këshilli i Pavarur për Media ka dënuar sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë raportimit të ngjarjeve në komunat veriore,

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke përcjell me vëmendje raportimet e mediave ndaj ngjarjeve në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmet tashmë të evidentuara ndaj gazetarëve, ekipeve te televizioneve dhe pronës se tyre”, thuhet në reagimin e KPM-së.

Sipas KMP-së, veprime të tilla që më së paku mund të cilësohen si huligane janë totalisht të papranueshme dhe sulm direkt ndaj informacionit dhe fjalës së lirë të mediave si vlera të panegociueshme të shoqërisë.

“KPM dënon ashpër dhunën dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, duke vlerësuar lartë guximin dhe angazhimin e secilit gazetar e medium për të ofruar informacione në kohë reale”.

KPM dënon ashpër sulmet ndaj mediave në Veri

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore