Kosova

Hoxhaj kritikon Borrell-in dhe Lajçak-un: Nuk kam parë ndërmjetës kaq të dobët, kanë mungesë serioziteti


Enver Hoxhaj

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një paraqitje televizive në “Tëvë1”, kritikoi ndërmjetësit e Bashkimit Evropian – Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak – për mungesë seriozitet në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Hoxhaj, përveç kritikave ndaj shefit të diplomacisë evropiane dhe emisarit special për dialogun, shtoi se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit nuk e mbart pëlqimin dhe angazhimin e qartë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Fakti që Borrell’i dhe Lajçak’u nuk ishin në gjendje t’i bindin vendet e tyre [Spanja dhe Sllovakia] që ta japin një votë për ta vendosur Kosovën në rend të ditës në Këshillin e Evropës, tregon se sa të pafuqishëm janë ndërmjetësit evropianë. Në karrierën time 20-vjeçare nuk kam parë të tillë”, tha ai.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç paraprakisht ishin pajtuar me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia veçse kanë filluar ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e pikave të Marrëveshjes së Ohrit. Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore