Kosova

“Hapi i parë i përmbushjes së zotimeve”, Borrell përshëndet marrëveshjen për të zhdukurit mes kryenegociatorëve në Bruksel


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, përmes një cicërime në Twitter ka theksuar se Kosova dhe Serbia janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin, derisa e ka përshëndetur dakordacën mes dy vendeve për personat e zhdukur.

“Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të nivelit të lartë të cilën do ta organizoj”, ka shkruar Borrell.

Ai ka theksuar se BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin.

“Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon”.

Ndryshe, të martën janë takuar kyrenegociatorët e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, të cilat janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Pos kësaj, Petkoviç deklaroi se në këtë takim për herë të parë është biseduar për hapat konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviç.

Takimi trepalësh filloi pak pas orës 17:00 dhe ka përfunduar në orët e vona të pasdites të së martës.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore