Kosova

Avokati serb: Vuçiç ishte pjesë e planit të Putin-it, synonin edhe veriun e Kosovës pas rënies së Kievit


Çedomir Stojkoviç

Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, ka reaguar nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në Twitter, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për një nga mediat serbe të dielën, tha se nuk ishte në dijeni që Rusia po planifikonte pushtimin e Ukrainës.

Stojkoviç theksoi se Vuçiç, përveç se ishte i njohur me planin rus për të kryer agresion në territorin e një vendi sovran, ishte edhe pjesë e planeve të presidentit rus, Vladimir Putin, që pasi të thyhej Kievi, të vazhdohej me të njëjtin operacion edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Vuçiç jo vetëm që e dinte planin për pushtimin e Ukrainës, por ishte pjesë e planeve të Putin-it, që pas rënies së Kievit, ai do të niste operacionin e tij special ushtarak në (Bosnjë-Hercegovinë, veri të Kosovës, Mali i Zi). Kjo është arsyeja pse ai bleu shumë armë nga Rusia”, shkroi ai.

Madje, sipas Stojkoviç, presidenti serb nuk ishte i vetmi në Serbi që i dinte këto plane dhe ishte pjesë e tyre, por këtë e dinin edhe Bogoljub Kariç – biznesmen serb, Aleksandër Vulin – drejtor i Shërbimit Sekret të Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç.

“Kujtojmë se Vuçiç ka fituar nga viti 2018 deri në vitin 2022 dhjetëra tanke ruse, dhjetëra avionë rusë, helikopterë dhe sisteme të sofistikuara kundërajrore. Po ashtu, ai urdhëroi rritjen e prokurimeve nga fabrikat vendase të armëve”, shkroi Stojkoviç ndër të tjera.

Aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor ishin intensifikuar, gjë që sipas autoriteteve kosovare, ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve rus ‘Wagner’s’ dhe ‘Ujqërit e Natës’ në barrikadat që strukturat e Serbisë kishin ngritur me urdhër të Vuçiç-it në veri të Kosovës vitin e kaluar.

Ndryshe, ekspertët perëndimorë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për potencialin përçarës të shkaktuar nga aleatët e ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi të cilët kishin ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore