Kosova

Borrell komenton pajtimin e arritur në Ohër


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, teksa mori pjesë në hapjen e Forumit Humanitar Evropian, para se të raportojë para ministrave të Jashtëm të shteteve të evropiane, komentoi shkurtimisht pajtimin e arritur në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë.

“Patëm diskutime të gjata dhe në fund edhe marrëveshje e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit evropian për të dyja palët”, tha Borrell, ndërsa la të nënkuptohet se me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë.

“Do të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë dhe pjesë e dokumenteve dhe kërkesave për normalizim për Kosovën. Tani do të monitorojmë për së afërmi zbatimin. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojë dhe le të shohim se si do ta bëjnë këtë”, theksoi Borrell.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore