Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë jashtëzakonisht mirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve evropianë gjatë seancës parlamentare në Strasburg, ai theksoi se ky bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy palëve respektive.
“Ne mund ta bëjmë këtë së bashku me SHBA-në, pse jo, ne bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë me ta në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë shumë efektive, ashtu ishte edhe në rastin e Maqedonisë”, tha Borrell, transmeton Euronews në gjuhën serbe.
“Këtë mund ta bëjmë edhe në rastin e Malit të Zi, por tani po punohet për koordinim që përfshin luftën kundër dezinformatave. Nuk ka ende ndërmjetësim të përbashkët mes SHBA-së dhe BE-së, por shfrytëzoj rastin të theksoj se sa e rëndësishme është në rastin e Serbisë dhe Kosovës”, shtoi ai.
Shefi i diplomacisë evropiane këto komente i bëri pasi eurodeputeti kroat, Tonino Picula, e pyeti se si BE-ja mund të ndihmonte për të stabilizuar situatën politike në Mal të Zi, dhe nëse ndërmjetësimi evropiano-amerikan, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, mund të ishte receta e duhur.
Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropian-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.
Emisari Speical i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.
Ndërkaq, edhe emisari i posaçëm i SHBA-be për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë