Kosova

Vuçeviç: “S’do e lejojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”


Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç, thotë se referimi i Kartës së OKB-së në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është në favor të Serbisë.

“Karta e OKB-së ka përmbajtjen e saj, ajo nuk mund të ndahet në copa”, tha ai për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai ka përsëritur se Beogradi zyrtar e “di” se ku janë vijat e kuqe për Kosovën, por edhe se duhet të lërë “pak hapësirë ​​për manovrim”.

“Nuk do të ketë as njohje të tërthortë dhe as të drejtpërdrejtë. Këtë nuk do ta lejoj Aleksandër Vuçiç”.

Kur është pyetur për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia, Vuçeviç ka theksuar se “politikisht ne nuk jemi plotësisht neutral, sepse kemi në rrugë drejt BE-së.

“Jemi nën presion të madh dhe kemi dëme politike dhe ekonomike sepse nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë, por nuk e shoh qëndrimin tonë të ndryshojë në këtë moment”, shtoi ai.

Duke folur për Lëvizjen Popullore për Shtetin, formimin e së cilës e paralajmëroi Vuçiç, ai tha se është “bashkim në mbrojtje të Serbisë kundër çdo forme presioni dhe shantazhi”.

“Ky është një moment që do të kërkojë bashkimin e të gjithë atyre që e shohin Serbinë si një shtet sovran që kujdeset për interesat e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore