Kosova

Analistët serbë: Kosova dhe sanksionet ndaj Rusisë – pengesat e Serbisë drejt BE-së


Foto/Nova

Boris Varga, gazetar dhe analist i pavarur, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës, tha se politika e jashtme e Serbisë “edhe me Rusinë, edhe me Perëndimin” është një lojë politike e Beogradit për ta shtyrë në plan të dytë zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Nëse ishte konsideruar se vendosja e sanksioneve dhe zvogëlimi i rusofilisë është prioritet – jo, prioritet i Perëndimit është stabiliteti në Kosovë – zgjidhja e përhershme e kësaj çështjeje”, tha ai.

Ndërkaq, për gazetarin serb Stefan Slavkoviç, Serbia tash ka dy pengesa kryesore në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian – Kosovën dhe çështjen e sanksioneve kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë.

“Kur i krahason sanksionet në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, besoj se Kosova aktualisht do të ketë primatin dhe se nuk është rastësi që nga non-paper shumë shpejt u arrit një propozim franko-gjerman, e i cili pastaj është bërë plani i BE-së”.

“Tani po përmenden datat mars dhe prill. Nuk mendoj se çështja e Kosovës do të zgjidhet kaq shpejt, por mendoj se sanksionet do të vendosen ad-acta [mbyllet kjo çështje]”, shtoi ai në një prononcim për RTK-në.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbronë “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore