Kosova

Kurti: Vuçiç veçse e shkeli Propozimin Evropian


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes llogarisë së tij zyrtare në rrjetin social Twitter, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende pa u bërë dy ditë të plota nga dakordimi për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, ka filluar t’i shkelë pikat e marrëveshjes.

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të pikës 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, shkroi ai.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në nenin katër të Marrëveshjes thuhet se “Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj” dhe se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Vuçiç një ditë pas takimit me kryeministrin Kurti, në një paraqitje televizive për Radio Televizionin e Serbisë, tha se duhet bërë “kompromise racionale për jetë normale”, megjithëse shtoi se ekzistojnë akoma “vijat e kuqe” që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha temat, e kjo do të çonte në normalizim. Po, ne kemi nevojë për normalizim me shqiptarët. Por, këto nuk kanë lidhje me çështjet më të rëndësishme shtetërore. Nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB”, tha ai.

Ndryshe, sipas Josep Borrell-it, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së” dhe për të gjitha ato që u pajtuan të dy liderët do të ketë nevojë për një takim të ri që do të mbahet me 18 mars në Shkup.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e çka jo tjetër.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë. Ndërsa plani franko-gjerman, që gëzon edhe mbështetjen amerikane, nuk e përfshin njohjen reciproke e as anëtarësimin në OKB.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore