Kosova

Kurti para takimit me Vuçiç-in: Jam optimist për një marrëveshje këtë vit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për France 24 se në takimin e 27 shkurtit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, është optimist për një marrëveshje që çon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

”Takimi i ardhshëm do të tregojë se sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit. Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, tha Kurti.

“Por në të njëjtën kohë na duhet që Beogradi zyrtar ta fillojë distancimin e tij nga e kaluara e tij, që është Millosheviç dhe nga e tashmja që është presidenti despotik Putin”.

Ai ka theksuar se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve , jep njohje ‘de-fakto’ dhe përmban shumë paragrafë, nga modeli gjermano-gjerman”.

”Unë jam i përkushtuar, konstruktiv, kreativ në arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse koha është thelbësore”.

Ai shprehu keqardhjen që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk janë normale” dhe theksoi se Beogradi është izoluar duke “mos u shkëputur nga Kremlini”.

Kurti tha se Vuçiç “në një masë të madhe po luan në duart e Putinit”.

Ai  beson se lideri serb “ndonjëherë bën një gjest që tregon se ndoshta ai nuk është plotësisht në linjë me Putinin sepse dëshiron të marrë fondet e BE-së dhe tolerancën e SHBA”, pasi ekonomia serbe, edhe pse kryesisht e varur nga nafta dhe gazi rus, është gjithashtu ” e lidhur me Perëndimin”.

Duke iu kthyer luftës në Ukrainë, Kurti tha se Perëndimi duhet të sigurojë ndihmë shtesë për forcat ukrainase.

Kryeqeveritari shtoi se kishte frikë se sulmet e mercenarëve të Grupit Wagner kundër Kosovës ishin “të mundshme”.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiç do të takohen me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, në Bruksel me 27 shkurt (të hënën e javës së ardhshme) me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Albanian Post nga burime diplomatike brenda procesit të dialogut ka mësuar se një pajtim për nënshkrimin e marrëveshjes tashmë është dhënë nga të dyja palët. Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët do të dalin me njoftimin se është arritur pajtim në frymën e kompromisit, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore