Kosova

Abazi: Video-incizimet unë nuk i kam parë, më është thënë – s’mund të përmend emra


Haki Abazi

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka deklaruar se video-incizimet që tregojnë për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nuk i ka parë vetë, por i kanë thënë se ato ekzistojnë dhe se këtë ia ka thënë dikush që punon brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Video-incizimet kanë të bëjnë me një rast jashtëzakonisht të ndjeshëm siç është ai i Astrit Deharit. Video-incizimet unë nuk i kam parë, më është thënë – s’mund të përmend emra. Janë njerëz që e dinë që përbrenda institutit janë kamerat që xhirojnë dhe nuk është e mundur që të mos ketë filmime”, ka deklaruar Abazi në emisionin Debat Plus.

Sa për audio-incizime ai deklaroi se bëhet fjalë për një audio në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.

“Në audio-incizime është Saranda Bugujevci, Mimoza Kusari dhe Dejona Mihaili. Është audio-incizimi kur Bugujevci harron ta mbyll mikrofonin. Diskutimi ka të bëjë me atë se kujt mos t’i jepet fjala”.


Abazi: Ka shumë të pakënaqur në Vetëvendosje, edhe ata do flasin

Kur kam biseduar me Albin Kurtin, ai ma ka prezantuar një dosje për mua, të cilën ma kishte punuar Dejona Mihali. Për deputetët e Vetëvendosjes ka dosje nga Mihali dhe Mimoza Kusari-Lila.

Kështu ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në emisionin Debat Plus, i cili tashmë edhe përmes një konference për media gjatë ditës, ka akuzuar kolegët e tij për mbytje të demokracisë në parti, por edhe veprime të tjera që lidhen me rastin e Astrit Deharit.

“Nuk ke qenë për ta votuar buxhetin e vitit të kaluar, dhe trillime të pafundme që ka shkruar Dejona Mihaili dhe Mimoza Kusari-Lila”, ka treguar Abazi duke shpjeguar se çfarë shkruhet në dosjen e tij.

Edhe shkarkimin e tij ai e ka parë në këtë frymë.

“Shkarkimi ka ardhur si urdhër nga Kurti, që u është dhënë Dejona Mihalit dhe Mimoza Kusarit”, pohoi Abazi.

“Ky është një gradacion i ngadalshëm i pozicioneve që unë i kam kuptuar në momentin e zgjedhjeve të dyta. S’ka debat në grup parlamentar, gjithçka vjen e kryer dhe imponohet nga Kusari-Lila. Unë kam shprehur pakënaqësinë time, nëpërmjet kanaleve dhe mekanizmave të partisë. Nuk janë respektuar, janë anashkaluar”.

Abazi ka treguar gjithashtu se ka lista të tërë për deputetët që janë profile që mblidhen dhe më pas i prezantohen Kurtit.

Abazi ka thënë se po tentohet që ai të provokohet për t’u rrëzuar qeveria Kurti, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje, si shpëtim për Vetëvendosjen e vetë kryeministrin.

“Ideja që unë jam përcjellur me dosje, analiza tregon se mund të provokohem për të vepruar në një drejtim. Por, unë nuk provokohen, unë nuk kam votë kundër qeverisë së Albin Kurtit”, deklaroi Abazi.

Abazi deklaroi se nuk është vetëm ai i pakënaquri në Vetëvendosjes, por ka dhe të tjerë.

“Ka shumë të pakënaqur në Vetëvendosjes dhe unë mendoj se ata të pakënaqurit janë shtylla e Vetëvendosjes. Mendoj që do flasin edhe ata”, tha Abazi.

“Unë nuk kam të drejt që t’ua përmendi emrin, por janë me dhjetëra që kanë pakënaqësinë për mos funksionimin e duhur të grupit parlamentar”.

“Ka edhe ministra që nuk iu pëlqen kjo formë e kontrollit”.

“Dejona Mihaili e ka fjalën kryesore gjithmonë në grupin parlamentar. Kur ajo nuk është në mbledhje, takimi përfundon i paqartë, derisa të jap Mihaili një vendim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore