Kosova

“Borrell është lënë jashtë skemës” – Uashingtoni, Parisi dhe Berlini janë ata që vendosin


Foto nga Albanian Post

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, është lënë jashtë skemës për gjetjen e një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj Kosovën e Serbinë po e vizitojnë Gabriel Escobar e Derek Chollet nga Uashingtoni dhe Jens Plotner e Emmanuel Bonne nga Berlini e Parisi.

“Borrell është lënë jashtë skeme për shumë shkaqe”, shkruan Beqë Cufaj, ish ambasador i Kosovës në Gjermani.

“Komentet që Prishtina e Beogradi kanë dërguar për Draft Marrëveshjen janë analizuar në Uashington, Berlin e Paris”, shkruan ai në llogarinë e tij në Facebook, duke bërë një zbërthim të tij për situatën aktuale dhe qëndrimet e dy palëve.

“Vuçiç-i po provon që përmes politikës së stilit fait accompli (punë e kryer) në veri të Republikës së Kosovës të bëjë atë që nuk do të mundet: krijimin e Asociacionit para vënies së Nënshkrimit në Marrëveshje”, shkruan Cufaj.

Derisa, “kryeministri Kurti tashmë e ka kuptuar dhe pranuar që aleatët e Kosovës janë: Amerika, Gjermania, Franca, Britania e Madhe – dhe në frymën e traditën e paraardhësve të tij – do të (duhej të) vazhdojë të mos e vë në pikëpyetje këtë Aleancë të shenjtë që Kosova tash e tri dekada e ka pasur dhe do ta ketë”.

Beqe Cufaj, ish-ambasador i Kosoves ne BE

Kurse të dërguarit e Quartett-it nga Uashingtoni/Berlini/Parisi, me shefat e tyre në  Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht Kanzeramt dhe Élysée, duhet të vendosin për tri cështje, shkruan Cufaj.

E para, sipas tij, është “a ia vlen të ulen në tavolinë Kurti e Vuçiç me (vetëm) Lajçak-un, kur dihet që këta nuk e durojnë njëri-tjetrin as fizikisht e lëre më të shkëmbejnë ndonjë fjalë”.

“A mund të arrihet pajtim për një ‘Draft Marrëveshje’ pa u takuar”, është çështja e dytë.

“Apo megjithatë në fillimvitin që vjen do të organizohet Samiti/Konferenca në të cilën Kosova dhe Serbia në prani të shefave të shteteve anëtare të QUINT-it me Presidentin Joe Biden krahas Kancelarit Olaf Scholz e Presidentit Emmanuel Macron dhe të tjerët, do të nënshkruajnë Marrëveshjen”.

Cufaj pohon se “deri në fund të këtij viti pritet vendim” dhe se “kushdo nga palët (kjo vlen sidomos për Beogradin) që i bishtnon këtij plani, mund të llogarisë me konsekuenca të paparashikueshme”.

Me 22 nëntor, Albanian Post pati raportuar ekskluzivisht nga burime diplomatike, se Borrell, ka shumë mundësi që më nuk do të udhëheqë me dialogun (ose do të udhëheqë në një kapacitet tjetër).

Ekskluzive: Ka shumë mundësi që Borrell më s’do t’i udhëheqë bisedimet Kosovë-Serbi, fundi i shkurtit nuk ndryshon si afat për marrëveshje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore