Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të hënën e 21 nëntorit vendimin “Për fillimin e funksionimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”,
Ky i fundit, vjen në zbatim të VKM-së “Për riorganizimin e Rretheve Gjyqësore dhe kompetencave tokësore të Gjykatave”.
Lajmi u bë i ditur nga institucioni i drejtësisë, duke cituar njoftimin për mediat.
KLGJ thotë se akti i miratuar nga ky institucion është një akt normativ nënligjor, i cili është i harmonizuar me misionin, vizionin dhe vlerat thelbësore të pushtetit gjyqësor.
Vendimi, shton njoftimit, është konceptuar si një kuadër që përcakton tërësinë e parimeve që do të udhëheqin procesin e zbatimit të riorganizimit të kompetencave tokësore të gjykatave të apelit.
Kjo, duke synuar vijimësinë në drejtimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore, administrative dhe atyre mbështetëse nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
“Parimet bazë mbi të cilat është hartuar akti i miratuar sot përfshijnë garantimin e vazhdimësisë së ofrimit të shërbimit qytetarëve dhe përdoruesve të gjykatës në një gjykatë plotësisht funksionale në datën 1 shkurt 2023, parimin e efikasitetit në trajtimin e procesit të riorganizimit, mbajtjen në konsideratë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të gjykatave, përmbylljen e procesit të riorganizimit brenda afatit të caktuar dhe me transparencë”, ravijëzon KLGJ-ja.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com