Lajme

“BE-ja duhet të përshpejtojë procesin e integrimit për Ballkanin Perëndimor”


Péter Szijjártó, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, i ka kërkuar Bashkimit Evropian (BE) që të përshpejtojë procesin e integrimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo në mënyrë që të forcohet edhe më tej siguria unionit.

Deklarata e tij u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas një takimi mes ministrit Szijjártó dhe ministrit të Financave të Malit të Zi, Aleksandar Damjanoviç.

Szijjártó tha se, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në BE ishte një lëvizje jetike për forcimin e tij, ndërsa i kërkoi BE-së që ta bënte zgjerimin një pikë qendrore të politikës së saj.

“Procesi jashtëzakonisht i ngadalshëm i zgjerimit e dobëson më tej BE-në, e cila është shumë problematike mes krizave të ndryshme të sigurisë”.

Ai gjithashtu vë në dukje se Hungaria ka një interes të sigurisë dhe ekonomike në integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për këtë arsye, i ka kërkuar Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së të organizojë një konferencë ndërqeveritare për të “mbyllur disa kapituj”, në veçanti për Malin e Zi.

Mali i Zi ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2008, ndërsa negociatat filluan pothuajse katër vjet më vonë, në qershor 2012.

Dhe ndërsa ky vend i ka të hapura të gjithë kapitujt për anëtarësim në BE, fqinji i tij, Serbia, ka hapur 22 nga 35 kapitujt edhe pse e fitoi statusin e kandidatit në vitin 2012.

Shqipëria, nga ana tjetër, ka aplikuar për anëtarësim në BE në prill të vitit 2009-s dhe iu dha statusi i kandidatit vetëm në vitin 2014.

Negociatat për anëtarësim nisën në korrik 2022. Në të njëjtën datë filloi negociatat edhe Maqedonia e Veriut.

Kjo e fundit kishte aplikuar për anëtarësim në BE në mars 2004 dhe iu dha statusi në dhjetor 2005.

Bosnja dhe Hercegovina aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt 2016, Kosova planifikon ta bëjë këtë në fund të dhjetorit 2022.

Vende të tjera kandidate për anëtarësim në BE janë gjithashtu Moldavia, Turqia dhe Ukraina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore