Kosova

Ministri i Arsimit në Kosovë: Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë


“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”, është thënia me të cilën Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Ramë Likaj, ka uruar dhe nderuar të gjithë mësuesit për ditën e tyre, 7 marsin.

“Sot nuk mund të lëmë pa e theksuar kontributin e punonjësve të arsimit që edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme mbajtën shkollat hapur dhe arsimin e trajtuan me prioritet. Mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror”, ka shkuar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Përmes këtij shkrimi, Likaj i ka ngritur lartë vlerat dhe kontributin e punonjësve të arsimit.

Tutje Likaj ka thënë se janë ata “që edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme mbajtën shkollat hapur dhe arsimin e trajtuan me prioritet. Janë ata që ndër vite kontribuuan për të mbajtur gjallë arsimin shqip dhe shumë prej tyre nuk e kursyen as jetën për lirinë e vendit”, shkruan ai.

Po ashtu, Likaj ka përkujtuar themelet e para të shkollës shqipe e cila në këtë datë shënon 134 vjetorin nga dita e themelimit.

“Kjo datë na përkujton 7 marsin e 1887-ës, kur u hap në Korçë mësonjëtorja e parë shqipe në drejtimin e Pandeli Sotirit”, ka shkruar ai.

Me qëllim për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, mësuesit e popullit kanë bërë sakrifica të mëdha.

Kështu në Korçë u lind dhe lëshoi rrënjë sistemi kombëtar edukativo-arsimor me Mësonjëtoren e parë shqipe e cila pati vepruar deri më 1902 sepse u mbyll nga pushtuesit por që më vonë sërish u rihap.

Drejtuesit e kësaj shkolle ishin figura të njohura si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, të cilët me kontributin e tyre dëshmuan dëshirën e madhe që ata kishin për ta përhapur dijen në popull.

Drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindësi Pandeli Sotiri, i cili këtë shkollë e ktheu në vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare.

Korça në dallim nga vendet e tjera e zë një vend të pakrahasueshëm, rëndësinë e së cilës mund ta shohim edhe në vargjet e poetit, Naim Frashëri.

“O vëllezër shqiptarë

Gëzohi! që erth kjo ditë,

Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë

Që sjell gjithë mirësitë.

Lumja ti moj Korç’ o lule!

Q’i le pas shoqet e tua

Si trimi në ball u sule,

Ta paçim për jetë hua”!

Ndërkaq, arsimi i Kosovës që nga viti 1991 e deri më 1999 vepronte nën trysnin e Serbisë e cila bënte përpjekje për ta ndaluar dhe si pasojë e kësaj shumë nxënës, studentë, mësues e prindër bien viktima të shovinizmit serb.

Megjithatë rëndësia historike e kësaj dite mbetet burim për frymëzimin edukativ prandaj shënohet me qëllim që të ngritët lartë tradita e shkollës kombëtare dhe të çmohet e nderohet figura e mësuesit, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin arsimor dhe edukimin e brezit të ri.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore