Kosova

Komandanti i KFOR-it: Jemi gati për të adresuar çdo sfidë të sigurisë në Kosovë


Angelo Michele Ristuccia dhe Fehmi Hoti

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, ka garantuar edhe njëherë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai ka zhvilluar një takim me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, me të cilin ka diskutuar për situatën e përgjithshme, në veçanti për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

“Gjenerali Ristuccia theksoi gatishmërinë e KFOR-it për të adresuar çdo sfidë të sigurisë dhe përkushtimin për të ruajtur bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë, sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës, në përputhje me mandatin e KFOR-it nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, Me 1 nëntor skadon afati dy mujor për konvertimin e targave ilagale serbe në ato RKS. Kosova, sipas zotimit të saj, dhe vendimit në mbledhjen e qeverisë, duhet të fillojë konfiskimin e veturave me targa KM.

Për të evituar këtë kokëçarje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar edhe 10 muaj afat, nën shpresën se deri atëherë, do të ketë një marrëveshje jo vetëm për targat, por për një shumë më të madhe – një që parasheh zgjidhjen finale të problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, në deklarimin e tij të fundit, pohoi se “shtyrja tashmë ka ndodhur”, duke nënkuptuar se s’do të ketë një tjetër.

“Jam në kontakt me policinë dhe KFOR-in”, tha Kurti, duke shtuar se “dëshirojmë t’i befasojmë kriminelët, jo aleatët”.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore