Lajme

Trazirat në Burkina Faso: Oficerët ushtarakë largojnë udhëheqësin


Një kapiten i ushtrisë në Burkina Faso ka njoftuar në televizionin kombëtar se ka rrëzuar udhëheqësin ushtarak nënkoloneli, Paul-Henri Damiba.

Ibrahim Traore përmendi paaftësinë e nënkolonelit Damiba për t’u marrë me një kryengritje islamike si arsye.

Ai gjithashtu bëri të ditur se kufijtë janë mbyllur për një kohë të pacaktuar dhe janë pezulluar të gjitha aktivitetet politike.

Junta e nënkolonelit Damiba përmbysi një qeveri të zgjedhur në janar, duke përmendur dështimin për të ndalur sulmet islamike.

Por administrata e tij gjithashtu nuk ka qenë në gjendje të shuajë dhunën xhihadiste.

Të hënën, 11 ushtarë u vranë kur po shoqëronin një kolonë me automjete civile në veri të vendit.

Më herët të premten, nënkoloneli Damiba i kërkoi popullatës të qëndronte e qetë pasi u dëgjuan të shtëna të forta në disa pjesë të kryeqytetit.

Kush është nënkolonel Damiba?

Më shumë se 20 ushtarë të armatosur – shumica me fytyrë të mbuluar – u shfaqën në televizionin shtetëror pak para orës 20:00 me kohën lokale.

“Përballë situatës në përkeqësim, ne u përpoqëm disa herë që Damiba të rifokusonte tranzicionin në çështjen e sigurisë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Traore.

Është shpallur edhe shtetrrethimi nga ora 21:00 deri në 05:00.

Vendndodhja e nënkolonelit Damiba nuk dihet.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishin “thellësisht të shqetësuara” nga ngjarjet në Burkina Faso dhe inkurajuan qytetarët e saj që të kufizojnë lëvizjet në vend.

“Ne bëjmë thirrje për një kthim në qetësi dhe përmbajtje nga të gjithë aktorët”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dënoi masën, duke deklaruar se “rikonfirmon kundërshtimin e tij të parezervë ndaj çdo marrjeje ose mbajtjeje të pushtetit me mjete jokushtetuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore