Kosova

Joseph: Vuçiç t’i ndihmojë Kosovës të anëtarësohet në KiE, i mbron serbët


Ish-zëvendës shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë dhe profesori në John Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) në Washington, Edward P. Joseph, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëse është i shqetësuar për gjendjen e serbëve në Kosovë, duhet ta ndihmojë Kosovën që të pranohet në Këshillin e Evropës.

“Nëse shqetësimi është sigurimi i të drejtave të serbëve të Kosovës, atëherë Vuçiç mund të udhëheqë rrugën që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, duke u ofruar serbëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për Drejtat e Njeriut. Kjo do të ndryshonte menjëherë marrëdhëniet”, ka shkruar në Twitter Joseph.

Por, sipas tij, Vuçiç po zbulon retorikën famëkeqe të kohës së luftës që i parapriu spastrimit etnik dhe gjenocidit në Bosnje.

Ai ka theksuar se Kosova është e obliguar të zbatojë ‘Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe’, në përputhje me Kushtetutën e saj.

“Në vjeshtën e vitit 2020, paraardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti, nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit dhe në një moment u pajtua që Asociacioni të vihet në rend dite”, shtoi ai.

Joseph i ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës, duke shtuar se Kosova tashmë mbledh të hyra doganore dhe ka “Menaxhim të Kufijve”.

“Rreth 90 për qind e serbëve të Kosovës, në veri dhe në jug, posedojnë dokumente zyrtare të lëshuara nga Republika e Kosovës, sipas serbëve të Kosovës”.

“Greqia nuk e njeh Kosovën, e megjithatë pranon targat RKS dhe dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Më shumë provë se kjo nuk është një “krizë sovraniteti”.

Profesori amerikan ka potencuar se Milan Radoiçiç dhe figura të tjera serbe të Kosovës janë informuar drejtpërdrejt nga ambasadori amerikan Hovenier se masat e reciprocitetit të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime.

“Hovenier u ka bërë thirrje palëve që të menaxhojnë dhe të de-përshkallëzojnë situatën”.

“Kush e di, ndoshta teatri i Vuçiç-it do të çojë në një përparim. Vuçiç, i cili ka krijuar këtë krizë të rreme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore