Kosova

“Po s’e dëgjoi Lista Serbe ambasadorin amerikan në Kosovë pasojat do t’i bartë edhe vetë Vuçiç”


Takimi mes ambasadorit amerikan dhe Listes Serbe

Për Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë të qartë se çfarë do nga Lista Serbe, rrjedhimisht nga Serbia.

“Ia kujtova (Goran) Rakiç-it se (Milan) Radoijçiç është në listën e zezë amerikane”, tha Hovenier pas takimit me kryetarin e Listës Serbe dhe Janjiç deklaron për gazetën serbe Danas se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Lista Serbe, e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës, të mbështesë në mënyrë më aktive ndëshkimin e personave që janë në listën e sanksioneve amerikane, përfshirë edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoijçiç”.

Janjiç kujton se edhe Zvonko Veselinoviç po ashtu është në listën e zezë amerikane, prandaj kërkesa është e qartë – distancim prej tyre.

“Për momentin, Serbia nuk pritet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për këtë çështje, por ky lloj mesazhi i ambasadorit amerikan ndaj Rakiç, i cili është pjesë e Qeverisë së Kosovës, do të thotë se SHBA pret që përfaqësuesit e serbëve të mbështesin atë. Të luftojnë gjegjësisht të ndëshkojnë ata që janë në listën e sanksioneve, edhe kur janë anëtarë të tyre”, pohon Janjiç.

Dushan Janjiç

Sipas aktivistit serb, një ndryshim tejet i madh për amerikanët është edhe fakti se “nga pikëpamja e politikës amerikane, ai (Radoijçiç tashmë është në fazën paraushtarake, që është një ndryshim cilësor serioz dhe ka të bëjë me ngjarjet e fundjavës së kaluar, të cilat çuan në tension të madh”.

Janjiç thekson se nëse Lista Serbe nuk i jep “mbështetje aktive” Qeverisë së Kosovës në luftën kundër sanksionimit të personave serbë që listohen dhe etiketohen si kriminelë, pasojat do t’i bartë edhe qeveria në Beograd.

“Vuçiç me nervozizëm të arsyetuar pret sanksione për vetë Serbinë, pastaj bëhet obligim imediat për Beogradin. Tani për tani, Vuçiç po përpiqet t’ua lërë atë obligim të tjerëve dhe qeverisë së ardhshme, sepse aty mund të shfaqen edhe kompanitë e Veselinoviç-it dhe Radoijçiç-it në Serbi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore