Lajme

Shkencëtarët ringjallin organet te derrat e ngordhur


Shkencëtarët kanë rivendosur qarkullimin e gjakut dhe funksionin e qelizave nëpër trupat e derrave të ngordhur për një orë.

Për këtë zbulim, ekspertët janë të mendimit se mund të nënkuptojë se edhe njerëzit duhet të përditësojnë vetë përkufizimin e vdekjes.

Ky zbulim ka ngjallur shpresa për një sërë përdorimesh të ardhshme mjekësore te njerëzit, më imediati që mund të ndihmojë organet të jetojnë më gjatë, duke shpëtuar potencialisht jetën e mijëra njerëzve në mbarë botën që kanë nevojë për transplantime.

Po ashtu mund të nxisë debatin rreth etikës së procedurave të tilla, veçanërisht pasi disa nga derrat në dukje të ngordhur i befasuan shkencëtarët duke bërë lëvizje të papritura të kokës gjatë eksperimentit.

Me bazë në SHBA, ekipi e mahniti komunitetin shkencor në vitin 2019 duke arritur të rivendoste funksionin e qelizave në trurin e derrave disa orë pasi u ishte prerë koka.

Më tej, ekipi u përpoq ta zgjeronte këtë teknikë në të gjithë trupin.

Ata shkaktuan një atak në zemër te derrat e anestezuar, gjë që ndaloi rrjedhjen e gjakut nëpër trup. Kjo i privon qelizat e trupit nga oksigjeni dhe pa oksigjen, qelizat te gjitarët vdesin.

Pastaj, derrat u lanë të vdekur për një orë.

Më pas, shkencëtarët pompuan trupat me një lëng që përmban gjakun e vetë derrave, si dhe një formë sintetike të hemoglobinës dhe ilaçe që mbrojnë qelizat dhe parandalojnë mpiksjen e gjakut.

Gjaku filloi të qarkullonte përsëri dhe shumë qeliza filluan të funksionojnë duke përfshirë organet vitale si zemra, mëlçia dhe veshka, për gjashtë orët e ardhshme të eksperimentit.

“Këto qeliza funksionuan disa orë pasi nuk duhej të kishin funksionuar, çka na tregon se shkatërrimi i qelizave mund të ndalet”, ka thënë Nenad Sestan, autori i studimit.

Kurse bashkautori David Andrijevic, ka thënë se ekipi shpreson që teknika, e quajtur OrganEx, “mund të përdoret për të shpëtuar organet”.

Po ashtu ajo mund të bëjë të mundshme forma të reja të kirurgjisë.

Teknika potencialisht mund të përdoret gjithashtu për të ringjallur njerëzit. Por kjo mund të rrisë rrezikun e kthimit të pacientëve në një pikë ku ata nuk janë në gjendje të jetojnë pa mbështetje jete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore