Shqipëria

Miratohet Harta e re Gjyqësore


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në deklaratë për mediat bëri me dije se është miratuar Harta e re Gjyqësore.

Sipas tij, do të jenë 13 gjykata të shkallës së parë, një apeli dhe dy administrative të shkallës parë.

“Është hap i rëndësishëm. Është bashkëpropozim i KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë”.

Manja theksoi se implementimi do të bëhet me faza.

“Harta e re do të standardizojë kohën e mesatares së dhënë të vendim , do të ulë kostot e dhënies së drejtësisë. Këtë fazë tranzitore do ta shfrytëzojmë për ndërgjegjësim dhe përfshirje të qytetarëve”.

Një javë më parë, avokatët u ngritën në protestë para Këshillit të Lartë Gjyqësor për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore.

Prej javësh, patën bojkotuar seancat gjyqësore dhe masat e sigurisë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia tha se çështja do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne ju sigurojmë që harta do krijojë problematika dhe nuk do të jetë e arritur, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Kemi paraqitur argumente që drejtësia të jetë e realizueshme dhe qytetarët të kenë akses. Kemi propozuar shumë variante që janë të realizueshme dhe rezultatet janë bindëse”.

Ai theksoi se kanë një kuadër ligjor që përbëhet nga ligji për avokatët dhe “ju siguroj që çdo hap i hedhur është konform legjislacionit”.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë patën theksuar se nuk do të “lëshojnë pe” sa i takon miratimit të Hartës.

Kjo gjë ishte paralajmëruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përtej kontestimeve, Rama u shpreh i habitur ndaj individëve, të cilët kërkojnë të bllokojnë procesin.

Kreu i Qeverisë e  bëri të qartë se Këshilli i Ministrave është i hapur për çdo diskutim dhe çdo ankesë që kanë komuniteti i avokatëve apo gjetkë.

Nga ana tjetër, një javë më parë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë njoftoi se avokatët kishin vendosur se do t’i bojkotojnë pa afat seancat gjyqësore.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore