Bota

Ndryshimet klimatike: Pritshmëri e rrezikshme në emetimet e ardhshme të karbonit


Një vëzhgim mbi ecurinë e masave të ndërmarra nga qeveritë për të luftuar ndryshimet klimatike, tregon se nuk është bërë mjaftueshëm për këtë çështje. Në fakt, situata është komplet e anasjellta dhe duket se masat e marra janë shumë pak.

Me ritmet aktuale të politikave për të luftuar ndryshimet klimatike, bota do të ngrohet me më shumë se 1.5 gradë Celsius, konfirmojnë ekspertët.

Në të kundërt, nëse shtetet duan t’i përmbahen pragut prej 1.5 gradë, duhet t’i ulin drastikisht emetimet e karbonit brënda vitit 2030.

Referuar kësaj çështjeje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, e konsideroi situatën një alarm të kuq për planetin tonë. “Kjo tregon se qeveritë nuk janë gjëkundi pranë nivelit të ambicies për të limituar ndryshimet klimatike brënda 1.5 gradëve dhe të arrijnë qëllimet e Marrëveshjes së Parisit”.

Ekspertët vlerësojnë se ka një hendek shumë të madh mes përpjekjeve të tanishme dhe ambicies për ta limituar rritjen e temperaturave nën 1.5 gradë. 

Për këtë qëllim, emetimet e karbonit duhen përgjysmuar. Me politikat e ndërmarra, emetimet e karbonit vetëm sa do të qëndrojnë në nivel të qëndrueshëm.

Vendet që kanë bërë pak ose aspak në këtë fushë, mes tyre Meksika dhe Brazili, mbahen përgjegjëse për 10-15% të emetimeve në rang global.Disa shtete, si Australia, nuk kanë dhënë asnjë plan konkret për reduktimin e emetimeve. 

Megjithatë ka edhe sinjale pozitive. Bashkimi Evropian ka bërë kapërcimin më të madh duke e modifikuar reduktimin nga 40% në 55% krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Nepali, Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes vendeve që parashikojnë përmirësime domethënëse.

Ka një diferencë të madhe mes asaj që thonë dhe asaj që vënë në zbatim qeveritë. Gjermania për shembull, një faktor i zëshëm në mbështetje të masave, ka hapur një termocentral të ri me qymyr vitin që shkoi. 

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka dhënë lejen për një minierë të re qymyri duke marrë kritika të shumta nga komuniteti shkencor. Gjithashtu shumë nga planet për infrastrukturën e transportit, që përfshijnë investime në 27 miliardë paund, nuk janë neutrale në emetimet e karbonit. 

Raportet konfirmojnë se masat nuk kanë urgjencë në vetvete. Përmirësime ka, por ato janë të ngadalta. Qeveritë kanë marrë masa dhe kanë thurur plane, por deri tani ato kanë rezultuar gjysmake.
Për të adresuar më së miri çështjen, politikat duhet të jenë detyrimisht konkrete dhe gjithëpërfshirëse. Përndyshe, gjendja e emergjencës mund dhe do të vijojë me dëmet e parekuperueshme në planetin tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore