Kosova

Armend Tours: “Lëndimet janë kryesisht në gjymtyrë, duar e këmbë, nuk ka lëndime serioze te pasagjerët”


“Lëndime serioze nuk ka”, ka thënë për Albanian Post, një menaxher i kompanisë së autobusëve Armend Tours, i cili u aksidentuar në orët e para të së enjtes në Austri.

“Lëndimet janë kryesisht në gjymtyrë, duar e këmbë, nuk ka lëndime serioze te pasagjerët, nuk ka të lënduar rëndë, nuk ka raste fatale, asnjë i vdekur. Kaq kemi informata aktualisht rreth të lënduarve”, vazhdon më tej menaxheri i cili u lajmërua në numrin kontaktues të kompanisë në platformën online por, nuk do që të identifikohet për redaksinë e Albanian Post.

“Përveç autobusit që është në gjendje të keqe”, ka vazhduar më tej menaxheri anomin, i kompanisë Armend Tours.

Për shkak që kjo kompani funksionon edhe në Shqipëri, menaxheri thotë se në këtë autobus mund të ketë pasur edhe pasagjer nga ky shtet.

“Nuk e kemi informatën e saktë por mund të ketë pasur edhe pasagjer nga Shqipëria”.

“Nuk dimë më shumë”, vazhdon të insistojë menaxheri i cili e mbyll telefonin pa dhënë më shumë detaje.

Një autobus me pasagjerë nga Kosova është aksidentuar në orët e para të së enjtes në autostradën perëndimore në Eugendorf të Austrisë, afër qytetit të Salzburgut.

Sipas informacioneve fillestare, të raportuara nga agjencia e lajmeve austriake APA, raportohet për rreth 20 persona të lënduar.

“Aktualisht dimë për tre të lënduar rëndë dhe 16 të lënduar lehtë”, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq Roberta Thanner për APA.

“Aktualisht nuk kemi raporte për viktima”.

Aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 03:00 mes nyejve Salzburg-Nord dhe Wallersee në drejtim të Vjenës.

Raportohet se në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe ndihma e parë.

Brigadat e zjarrit erdhën me rreth 60 vullnetarë në tetë automjete, dhe Kryqi i Kuq mbërriti me rreth 50 ndihmës në 14 automjete.

Autobusi i dëmtuar ishte ende në vendin e aksidentit rreth orës 06:00, për këtë arsye Westautobahn ishte i pakalueshëm në këtë zonë. Automjeti pritet të tërhiqet herët në mëngjes. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore