Shqipëria

Ankimuan vendimin, Apeli i GJKKO-së lë në burg punonjësit e Doganës së Morinës


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënën e 16 majit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për punonjësit e policisë kufitare të Morinës.

Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ata ankimuan vendimin e GJKKO-së për masë më të lehtë sigurie.

Ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila më 8 prill  dokumentoi 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave. Ndërsa pezulloi tre të tjerë.

Mes tyre, i arrestuar ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Në bazë të hetimeve të SPAK-ut, të gjithë këta shtetas me detyrë punonjës policie favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Sakaq ata ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, sa u përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar.

Po ashtu, ata ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

GJKKO-ja ka dhënë masën “arrest me burg” për 17 persona, “arrest në shtëpi” për 14 dhe “pezullim nga detyra” për tre prej tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore