Lajme

Mariupol-i është kthyer në një “ferr urban”, publikohen imazhet satelitore


Lagjet e Mariupol-it qëndrojnë në rrënoja pasi janë bombarduar prej muajsh nga forcat ruse.

Imazhet e reja satelitore nga kompania “Maxar” tregojnë shkallën e shkatërrimit në të gjithë qytet-portin me shumë detaje.

Në veçanti, ajo “dëshmon” bombardimin e uzinës së çelikut Azovstal, e cila është kthyer në bastionin e fundit të rezistencës në qytetin e rrethuar.

Pjesa më e madhe e dëmeve janë shkaktuar nga sulmet e artilerisë dhe sulmet ajrore.

Mbrojtësit e Mariupol-it deri më tani kanë luftuar betejat e tyre në rrugë teksa rrethimi rus është shtrënguar.

Luftimet vazhdojnë ndërsa anëtarët e Regjimentit Azov të Gardës Kombëtare të Ukrainës, thuhet se së bashku me një numër të konsiderueshëm civilësh, qëndrojnë në fabrikën masive të çelikut Azovstal.

Një imazh i Maxar tregon se sa dëme ka marrë uzina nga bombardimet ruse.

Evakuim/shkatërrim

Të shtunën u zhvillua një evakuim i suksesshëm i 20 civilëve nga Mariupol-i në një kolonë të Kombeve të Bashkuara.

Kjo, pas negociatave dhe takimeve të veçanta të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vlerësohet se rreth 120 mijë civilë kanë mbetur në qytet.

Pamjet e së shtunës treguan topat rusë 122 mm 2S1 Gvozdika që angazhoheshin në pozicionet e raportuara të Azov-it pranë kompleksit.

Regjimenti i Azov-it postoi një video që tregonte një T-72 ruse me shenjën “Z” duke gjuajtur predha të shumta afër zonës së zbrazët në katet e poshtme të një ndërtese apartamentesh.

Mjete të shumta të ushtrisë ruse, duke përfshirë një Typhoon-K dhe disa Tigr-M MRAP qëndronin jashtë ndërtesës.

Ky lloj shkatërrimi në Mariupol po bëhet rregull, jo përjashtim, siç shihet në imazhet në pjesë të tjera të qytetit.

Blloqe të tëra apartamentesh janë djegur nga predhat, ndërsa të tjerat janë rrafshuar.

Mbetet e paqartë se për sa kohë komandantët rusë do t’i mbajnë forcat e përkushtuara për të goditur atë që ka mbetur nga rezistenca e Mariupol-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore