Kosova

Konfiskohen kokainë e mijëra euro, aksion i gjerë i Policisë në Pejë e Prishtinë


Në dy operacione të ndara në Pejë dhe Prishtinë, Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar kokainë, një armë dhe mbi 10 mijë euro para.

“Policia e Kosovës, njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në mbështetje të njësive për reagim të shpejtë në bashkëpunim e koordinim me Prokurorinë e krimeve të rënda në Pejë dhe me urdhër të organeve kompetente të drejtësisë, ka realizuar një kontroll në një shtëpi banimi në Pejë, në të cilën dyshohej se jetonte personi i dyshuar me iniciale B.L.”, ka njoftuar policia.

Sipas njoftimit, gjatë realizimit të operacioni të kontrollit nga antidroga e Policisë në shtëpinë e të dyshuarit të lartcekur, në cilësi të provave materiale ka gjetur dhe sekuestruar substancë të dyshuar narkotike në formë pluhuri ngjyrë të bardhë e dyshuar për kokainë, e mbështjellë në 163 qese të vogla të tejdukshme, të cilat pasi janë peshuar ka rezultuar se pesha e tyre është rreth 55.1 gram.

“Vlen të potencohet se qeset e vogla ishin të gatshme për shitje, dhe ishin të fshehura në dy shishe plastike njëra me mbishkrimin “Cink” dhe tjetra “Orbit White”.

Po ashtu janë sekuestruar 10,670 euro dy telefona mobil Iphone, njëri Iphone 13 Pro Max  dhe  tjetri Iphone 8.

Gjithashtu, janë bastisur edhe dy shtëpi tjera banimi që i dyshuari ka shfrytëzuar kohë pas kohe për veprimtarinë e shitjes dhe fshehjes së substancave narkotikeve.

Personi i dyshuar i lartcekur me iniciale është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorisë për krime të rënda në Pejë, i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh, për procedura të mëtejme.

Ndërkaq në Prishtinë në aksionin e koduar me emrin “ Porosia”, ku janë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar duke kryer shitblerjen e një sasie të substancës së dyshuar narkotike, si kokainë.

“Në vazhdën e realizimit të këtij operacioni në shtëpinë e të dyshuarit në Stanovc të Vushtrisë është kryer një bastisje/kontroll dhe si prova materiale janë gjetur rreth 200 gram substancë e dyshuar narkotike-kokainë, një pushkë e gjatë dhe dy dokumente të një shteti të huaj me identitet të të dyshuarit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore