Lajme

Maqedoni e Veriut: Shkollat dhe çerdhet nisin grevën


Ilustrim

Nga e hëna e 11 prillit, mësimdhënësit dhe edukatorët nuk do të punojnë.

Procesi edukativo-arsimor në shkolla dhe çerdhe në Maqedoninë e Veriut, nuk do të realizohet për shkak të fillimit të grevës së përgjithshme të organizuar nga SASHK-ut.

Kreu i sindikatës, Jakim Nedellkov ka deklaruar se greva do të zgjasë derisa sa të përmbushen kërkesat e tyre dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Sindikata, kërkon rritje të pagave për 18.4 % dhe zbatimin e Marrëveshjes kolektive.

“Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi rezultate pozitive për sa i përket kërkesave tona. Duke qenë se vendimi për grevë është marrë nga një shumicë dërmuese e anëtarëve tanë, është e pashmangshme që greva të fillojë nesër, ashtu siç është paralajmëruar. Greva do të zgjasë derisa të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciproke. Se kur kjo të ndodhë nuk varet nga ne”.

“Do të ishim të lumtur që kjo të ndodhte nesër. Duhet ta kemi parasysh se deri në këtë moment nuk kemi asnjë propozim por edhe çfarëdo propozimi nuk do të pranojë anëtarësia”, tha Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.

Nga SASHK u deklaruan se në periudhën e fundit janë shtuar presionet, posaçërisht ndaj punonjësve në çerdhe, të cilët, siç tha Nedellkov për arsye të ndryshme po detyrohen që nesër të jenë në vendet e tyre të punës dhe të funksionojnë e të punojnë sikur nuk ka grevë. Ndërkohë, avokatja e SASHK-ut Verica Arsova u bëri thirrje drejtuesve të çerdheve dhe shkollave të mos pengojnë grevën në të kundërtën do të ngritën kallëzime penale.

“Duam t’u theksojmë drejtorëve të shkollave të mos luajnë me grevistët. Nëse dikush nga drejtorët e shkollave ose persona të jashtëm do të përpiqen ta ndërkrejnë grevën, ndaj tyre në prokuroritë themelore publike do të paraqiten kallëzime përkatëse penale komfor nenit 156 të Kodit Penal sipas të cilit pengimi i të drejtës së grevës dënohet me gjobë në para ose me burgim deri në një vit”, tha  Verica Arsova, avokate e SASHK-ut

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u bëri thirrje punonjësve në çerdhe dhe arsim që në radhë të parë t’i vënë interesat e fëmijëve dhe të kujdesen që të mos prishin procesin arsimor. Ai shtoi se dialogu social është e vetmja rrugë për të arritur zgjidhje të përbashkëta. Sipas Kovaçevskit, qeveria duhet të menaxhojë buxhetin me përgjegjësi dhe të kujdeset për ekonominë dhe mos rritjen e inflacionit.

Paraprakisht, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur se nuk duhet të ketë ndërprerje të procesit mësimor dhe se organet e shkollës kanë për detyrë ligjore të organizojnë procesin edukativo-arsimor. Gjithashtu edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftuan se përkundër grevës, punëtorët e institucioneve parashkollore për fëmijë janë të obliguar që të ofrojnë kujdes dhe edukim të pandërprerë të fëmijëve parashkollorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore