Shqipëria

Çoroditje mes protestuesve për kërkesat ndaj qeverisë


Ndërkohë që aktivisti Adriatik Lapaj, po lexonte kërkesat e qytetarëve drejtuar qeverisë, në radhët e protestuesve kishte “pakënaqësi” ndaj tyre duke i konsideruar si kërkesa pro kryeministrit Edi Rama.

Kërkesat fillonin që nga heqja e taksave mbi naftën, e deri te rishikimi i buxhetit të vitit 2022, në mënyrë që sipas tyre të rishikohet kriza.

Kërkesa e përgjithshme është ulja e qëndrueshme e çmimit të karburantit me vendet e rajonit. Respektimi për shtresat vulnerabël dhe shtresave në nevojë.

Ndërsa, kërkesat që po prezantoheshin “krah” Lapaj lidhen me minimumin jetik, heqjen e akcizës, subvencionimin e inputeve bujqësore e deri te kthimi i çmimeve të shportës ashtu siç ishin para luftës në Ukrainë.

Ndërsa, një nga protestueset deklaroi se “nuk na interesojnë këto gjëra ne. Ne duam ulje çmimesh, dhe rritje rrogash”.

Madje, nuk munguan dhe ironitë ndaj ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, lidhur me deklaratën se me 140 euro nuk konsiderohesh i varfër.

Protestues të shumtë gjenden para Kryeministrisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Qytetarët u mblodhën fillimisht rreth orës 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

Para nisjes së protestës, Policia e Shtetit ka marrë masat duke u vendosur në qendër të Tiranës.

Dhjetëra mjete janë vendosur pranë Ministrisë së Brendshme, teksa dhe një autobot është parë në pedonale.

“Protestat e qytetarëve”

Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.

Çmimi i naftës – brenda 24 orëve – u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.

Për disa ditë me radhë manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës dhe në disa qytete të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka konsideruar si  “protestat më të turpshme, që Shqipëria as ka pasur as s’do të ketë ndonjëherë”.

Ai shtoi se edhe reagimi mbështetës ndaj tyre është i turpshëm.

Çfarë përmban paketa e rezistencës?

Bëhet fjalë për një paketë me shtatë pika.

E para është derdhja e menjëhershme e 3.6 milionë lekëve për të indeksuar pensionet. Pika e dytë do të jetë kompensimi i çmimeve të shportës për 434 mijë përfitues.

Pra, Qeveria do të japë 3 mijë lekë të vjetër për disa kategori: pensionistëve, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët me ndihmë ekonomike.

Gjithashtu, pika e tretë do të jetë mbëstetja për fermerët, me naftë pa taksa do të shkojë në 1.5 miliardë dollarë.

Pika e katërt është mbështetja për qytetarët që përdorin linjat urbane, duke depozituar 500 milionë lekë. Kështu nuk do të preket çmimi i biletës.

Po ashtu, do të futet në fuqi ligji, për përgjysmim e taksës për pagat mbi 500 mijë lekë të vjetër.

Pika e gjashtë, është rritja e pagës minimale, që në muajin prill shkon 320 mijë lekë të vjetër.

E fundit, është mbrojtja e çmimit të energjisë – qeveria do të depozitojë 200 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore