Shqipëria

Itinerar i njëjtë, protestë e njëjtë – Qytetarët sërish në shesh


Ka përfundur edhe për sot protesta e qytetarëve të grumbulluar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Këtë herë, në numër më të pakët – ata qëndruan disa orë përpara godinës së Kryeministrisë.

Si pesë ditët e tjera, protesta e tyre ishte paqësore, duke mos shkaktuar incidente.

Motivi i “rebelimit” është ai i uljes së çmimeve. Sot shënohet dita e pestë që nga grumbullimi i tyre i parë.

Ata njëzëri shpehën dëshirën, që asnjë politikan të mos marrë pjesë në protestë.

E nisur më 8 mars, qytetarët kërkuan fillimisht uljen e çmimit të karburanteve. Kjo pasi asokohe, çmimi i naftës – brenda 24 orëve – u rrit me 30-35 lekë.

Edhe pse Qeveria në një vendim të menjëhershëm vendosi që të krijojë një Bord të Mbikëqyrjes për naftën.

Në mbledhjen e 12 marsit, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ që monitoron çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Në zbatim të këtij akti u mblodh menjëherë Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Në mbledhjen e tij të parë, ky bord vendosi se çmimi shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit “SSH EN 590” për periudhën 12 mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.

Reagimi i kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama, shpesh, ka përsëritur se ndihej i turpëruar se, Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe Evropës ku protestohet për pasojat e luftës në Ukrainë.

Por ai pavarësht protestave, prerazi, tha se taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet.

Ai solli sërish në vëmendje, së fatura e energjisë prej muaj nuk është prekur dhe se familjarët dhe biznesi i vogël nuk e paguan vetë, por e paguan së bashku me Qeverinë.

 

Kështu numri një i Qeverisë theksoi se është gjithmonë krah familjarëve, ashtu siç ka qenë gjatë pandemisë dhe tërmetit.

“Ne nuk do të lëmë vetëm, askënd”, tha kryeministri.

Për të, të mohosh pasojat e luftës do të thotë të mos kesh dinjitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore