Kosova

“S’ka BE për Kosovën pa marrëveshje me Serbinë”


Viola von Cramon në Parlamentin Evropian

Dialogu me Serbinë është diçka që s’mund ta neglizhoni”, ka thënë Viola von Cramon, në një seri cicërimash në Twitter, ku ka uruar kosovarët për ditën e pavarësisë.

“Keni bërë shumë hapa në rrugën e gjatë”, shkruan Von Cramon, duke shtuar se “ajo që është para jush nuk është e lehtë”.

Politikanja gjermane vazhdon statusin e saj në Twitter duke thënë se “vendi juaj është përplot me potencial, por “jostabiliteti shumë shpesh duket si rregulli, jo si përjashtimi”.

“Më pak polarizime e më shumë unitet”, është një nga mesazhet e saj.

“Nga brenda, duhet ta luftoni korrupsionin dhe ta ndihmoni ekonominë, por pa një marrëveshje me Serbinë, s’ka perspektivë për integrim në Bashkimin Evropian”.

Von Cramon thotë se edhe BE-ja duhet ta bëjë punën e saj “duke ia liberalizuar vizat Kosovës sa më shpejt që është e mundur”.

“Por, askush s’duhet të pres se është një e ardhme më e mirë pa punuar, pa u angazhuar dhe pa bërë kompromise”.

Mesazhe të ngjashme, por me tone më të buta se Von Cramon, ka pasur edhe Sektari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai tha se “për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër ka njohjen reciproke (me Serbinë) do të kërkojë fleksibilitet nga të gjitha palët dhe gatishmëri për kompromis”.

Këto mesazhe vijnë në kohën kur fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se dialogu me Serbinë nuk është një nga prioritet e tij kryesore.

Kurti, në një intervistë për gazetën zvicerane Le Temps, tha se qytetarët e Kosovës kanë të tjera prioritete.

“Kjo temë (dialogu me Serbinë) renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve”, deklaroi Kurti.

Prandaj, s’ka si të jetë prioriteti kryesor as për qeverinë e tij.

Megjithatë, shtoi Kurti, “jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore