Shqipëria

Këpucët e kuqe “prehen” për viktimat, gratë dhe vajzat marshojnë për të drejtat e tyre


Instalacioni “Këpucët e kuqe”, i cili prehej shkallëve të Teatrit të Operas dhe Baletit, priste nga momenti në moment të “mbushej” nga gumëzhimat e kalimtarëve.

Sheshi “Skënderbej” ishte përgatitur për një marshim që nuk ia mbathte nga përkujtimi i viktimave të dhunës apo vrasjeve me bazë gjinore.

Tirana mirëpriti edhe sot një protestë të organizuar nga shoqëria civile me pjesëmarrjen e qytetarëve të thjeshtë apo diplomateve të ndryshme.

Për të protestuar 8 marsin ishte përzgjedhur sërish një kompozim i baraslarguar i këpucëve, sandaleve, sheshkave të kuqe.

“Zapatos Rojos” (këpucët e kuqe) lindi si një projekt publik arti nga artistja meksikane, Elina Chauvet.

Ajo ekspozoi në vitin 2009 një instalacion me 33 palë këpucë të kuqe në Ciudad Juárez.

Juarez ka një shkallë femicidi (vrasje me bazë gjinore) aq të lartë sa është quajtur “qyteti që vret gratë”.

Meksikanja krijoi një metodë për të denoncuar dhe për t’i bërtitur botës tmerrin që kryen pothuajse çdo ditë femicidi.

Që prej asaj kohe, një vendosje këpucësh të kuqe identifikon numrin e dhunës, vdekjeve dhe keqtrajtimit që gratë kanë pësuar në jetën e tyre.

Brenda këpucëve gjendeshin mesazhe nga më të ndryshmet.

Dikush bënte thirrje “vendose veten në vendin tim”, e një palë mbishkruante se “gruaja është forca e çdo vajze të re”.

Kishte dhe mesazhe kurajimi që bënin apel për vlerën e fjalës “grua”, apo për guximin që transmetojnë te njëra-tjetra.

Marshimi

Me pankarta dhe me megafona në duar, vajzat dhe gratë thërrisnin kore të ndryshme edhe për kalimtaret që gjendeshin rrugës.

Mes turmës gjendej edhe Elsa Hastad, ambasadorja suedeze në Tiranë, e cila ka advokuar prej kohësh për tematikë sociale dhe kulturore në Shqipëri.

Në protestë u manifestua shpeshherë thirrja për liri, apo për vlerën që ajo mbart në një shoqëri, sipas tyre, patriarkale.

“Liria për të thënë JO”, mbante në duar një grua, teksa marshonte drejt Kryeministrisë.

Grumbullimi prej dhjetëra grash dhe vajzash që protestonin, tërhoqën vëmendjen e burrave që prisnin nga makinat të mbaronte kalvari i protestuesve.

“Tema që zgjodhëm për këtë 8 mars kishte të bënte me lirinë”, tregon fillimisht për Albanian Post, Xheni Karaj.

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe kryetarja e Aleancës LGBTI shtoi se ndihet ende si “qytetare e kategorisë së dytë” apo “njeri i dorës së dytë”.

Ajo konsideron se marrëdhënia e saj me bashkëjetuesen është ende peng i një shoqërie që mund ta godasë nga momenti në moment.

Për këtë, Karaj bën me faj autoritetet fetare apo edhe politikën konservatore “që nuk ka sy e vesh për të parë e dëgjuar rreth vetes”.

Edhe pse në minorancë, në protestë kishte dhe burra që morën pjesë.

Njëri prej tyre mbante një pankartë, nëpërmjet së cilës sqaronte se ai po marshonte “për gruan, vajzën, mbesën, motrën dhe nënën”.

Protestë “mbarëkombëtare”

“8 marsi i këtij viti, është një 8 mars i trishtë, i veçantë”, deklaron fillimisht për Albanian Post, aktivistja për të drejtat e grave dhe presidentja e “Useful to Albanian Women”, Sevim Arbana.

Ajo nënvizon se në një kohë që bota u përball me një armik të rrezikshëm, siç qe COVID-19, “në këtë vit postcovidian, bota po përballet me një armik edhe më të madh, që ka tronditur gjithë njerëzimin – Lufta në Ukrainë”.

Sevim Arbana

Referuar situatës, Arbana thekson se “gratë e vajzat shqiptare, sot në këtë ditë të të drejtave tona, solidarizohemi deri në fund, me popullin ukrainas, me nënat, vajzat, fëmijët e këtij vendi”.

Sipas raportimeve, shton aktivistja, spitalet, shkollat, objektet e ujit dhe kanalizimeve, si dhe jetimoret janë vënë nën zjarr.

“Ne, aktiviste të të drejtave të njeriut dhe të grave, bëjmë thirrje për pezullimin e veprimeve ushtarake në vazhdim, të cilat do të lehtësonin aksesin humanitar për njerëzit që janë ndërprerë pas shume ditësh sulmesh intensive ajrore dhe luftimesh tokësore”, u shpreh Arbana.

Statistikat

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, “Matja e Pandemisë në Hije: Dhuna kundër grave gjatë COVID-19” nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar që nga shpërthimi i COVID-19.

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

 Më tej, raporti zbulon se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Ndërkaq, 57 për qind e grave apo vajzave shqiptare mendojnë se ngacmimi seksual është rritur gjatë pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore