Lajme

Biden dhe Putin dakordësohen “parimisht” për një samit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ra dakord “në parim” për të mbajtur një samit me udhëheqësin rus Vladimir Putin.

Biden tha se takimi mund të zhvillohet vetëm “nëse Rusia nuk pushton Ukrainën”.

Kjo, sipas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë dhe zyrës së presidentit francez Emmanuel Macron, e cila njoftoi fillimisht lajmin.

Marrëveshja u arrit pas dy telefonatave që Macron pati me liderët e SHBA-ve dhe Rusisë.

Sipas Élysee-s, Putin gjithashtu “e kishte pranuar në parim një samit të tillë”.

Sekretarja e shtypit, Jen Psaki, tha se samiti do të pasojë takimin e planifikuar të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Diplomatët do të takohen në Evropë gjatë kësaj jave. Ky takim do të zhvillohet vetëm nëse Rusia “nuk vazhdon me veprimet e saj ushtarake”.

Takimi i propozuar midis Biden dhe Putin do të pasohet nga bisedime që përfshijnë “aktorë përkatës për të diskutuar sigurinë dhe stabilitetin strategjik në Evropë”, nënvizon njoftimi i Élysée-s.

Zyrtarët e Kremlin-it thanë pas telefonatës së Putinit me Macron se ai “theksoi domosdoshmërinë që Shtetet e Bashkuara dhe NATO të marrin seriozisht kërkesat e Rusisë”.

Kjo, sa i takon angazhimit ndaj garancive të sigurisë.

Biden dhe Putin folën për herë të fundit në një telefonatë më 12 shkurt.

Presidenti amerikan i ravijëzonte homologut të tij rus se SHBA-të dhe aleatët do të “përgjigjenin me vendosmëri dhe do të impononin kosto të shpejta dhe të rënda”.

Gjithmonë, nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore