Në nder të 25-vjetorit të rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës – krerët e shtetit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, fillimisht bënë homazhe tek shtatorët e heronjve në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë.
Më pas, dyshja, Osmani e Kurti, duke vlerësuar lartë sakrificën e heronjve për lirinë e Kosovës, ata bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh edhe tek varri i heroit, Pajaziti, në Kompleksin Memorial në Orllan.
Pos kësaj, presidentja dhe kryeministri i vendit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule edhe pranë bustit të heroit në sheshin, Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka përkujtuar heronjtë Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në përvjetorin e 25-të të rënies së tyre.
Duke shprehur homazhe, përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook, i pari i PDK-së, ka thënë se të tre heronjtë “janë dritë mbi ditët e bardha të Kosovës”.
“Ata që i kanë njohur këta trima, thonë se jetonin për ta dhënë jetën për Kosovën. Për lirinë që, megjithëse nuk e pritën të gjallë, në mendje dhe shpirt e ndjenin se ajo do të vinte përmes guximit e sakrificës së tyre”, ka shkruar Krasniqi.
“Sot, Zahiri, Hakifi e Edmondi, me mijëra çlirimtarë të tjerë që u flijuan në rrugën e çlirimit, janë bërë dritë mbi ditët e bardha të Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, ka shtuar ai.
Gjithashtu edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar heronjtë, duke thënë se rënia heroike e komandant Zahirit me shokë, është një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës së Kosovës për liri.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca, e ka quajtur “të parabarabartë” përballjen e treshes së heronjve me forcat serbe, duke shtuar se ata kishin vendosur të vdisnin në këmbë duke refuzuar gjunjëzimin.
“25 vite më parë, në një përballje të pabarabartë me forcat pushtuese serbe, në Pestovë të Vushtrrisë, u përjetësuan në altarin e lirisë strategët dhe themeluesit e bazave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – heronjtë e kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, ka shkruar Konjufca.
“Rënia heroike e komandant Zahirit me shokë shënon një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës sonë për liri dhe çlirim nga Serbia. Ata vendosën të të vdesin në këmbë, duke mos e pranuar gjunjëzimin. Dhe kështu e frymëzuan një popull të tërë në rrugën e pakompromis të çlirimit”, ka shtuar ai.
Komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitin dhe bashkëluftëtarët e tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahin, i ka përkujtuar edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.
Edhe Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se jeta dhe vepra e treshes heorike janë udhërrëfyes për Kosovën.
“Sot, kujtojmë jetën dhe heroizmin e komandantit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu”, ka shkruar Hoxha.
“Jeta dhe vepra e tyre dhe e gjithë luftëtarëve të lirisë do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për ngritjen e shtetit që me sakrificën e tyre u arrit liria dhe pavarësia”, ka shtuar ai.
Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën dhe ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Kurti kërkon zbatimin e Marrëveshjes Bazë pa vonesa: Në thelb të saj është së paku njohja reciproke
-
Një vit nga sulmi në Banjë, Manastiri mbyllet nga 23 deri më 26 shtator
-
Posta apelon qytetarët të mos bien pre e mesazheve të dyshimta
-
Haradinaj në takim me Orav thekson nevojën që Kosova t’i kthehet kursit të integrimit euro-atlantik
Lajmet kryesore
-
Dumani me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës: Strategji kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
-
Dorëhiqet anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska
-
Mossad mashtroi dhe befasoi Hezbollahun duke hedhur në erë pagerët
-
Kurti kërkon zbatimin e Marrëveshjes Bazë pa vonesa: Në thelb të saj është së paku njohja reciproke