Lajme

2021-shi, viti i dytë më i kushtueshëm për kompanitë e sigurimit


Viti 2021 ka rezultuar viti i dytë më i kushtueshëm për kompanitë e sigurimit anembanë botës, sipas kompanisë gjermane Munich Re.

Kjo e fundit ka paralajmëruar edhe se moti ekstrem ka më shumë gjasa të ndodhë me ndryshimet klimatike dhe si rrjedhojë, të sjellë shuma të ngjashme të larta humbjesh.

Prej katastrofave natyrore, humbjet e sigurimeve të vitit të kaluar kanë arritur në një shumë prej 120 miliardë dollarë.

Shuma renditet e dyta pas dëmeve prej 146 miliardë dollarësh gjatë vitit 2017 të goditur nga uragani, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Raporti vjetor nga Munich Re, që është siguruesi më i madh në botë, është më i lartë se një vlerësim prej 105 miliardë dollarësh që konkurrenti Swiss Re ka publikuar muajin e kaluar.

Munich Re ka dalluar se SHBA-të përbënin një pjesë jashtëzakonisht të madhe të humbjeve.

Çka ka ardhur si pasojë e goditjeve të shkaktuara nga dhjetëra tornado në muajin dhjetor dhe nga uragani Ida dhe ngjarja në Texas në fillim të vitit.

“Imazhet e fatkeqësive natyrore në vitin 2021 janë shqetësuese. Hulumtimet mbi klimën konfirmojnë gjithnjë e më shumë se moti ekstrem është bërë më i mundshëm”, ka treguar Torsten Jeworrek, një anëtar i bordit të kompanisë.

Afro 10 mijë njerëz kanë humbur jetën nga katastrofat natyrore, në përputhje me vitet e mëparshme.

Humbjet totale, duke përfshirë ato që nuk mbulohen nga sigurimet, llogariteshin në 280 miliardë dollarë, çka është shuma e katërt më e lartë deri më tani.

Uragani Ida, dëmi i të cilit shtrihej nga New Orleans në New York, rezultoi në 36 miliardë dollarë humbje të sigurimeve. Stuhia e dimrit që goditi kryesisht Texas-in rezultoi në rreth 15 miliardë dollarë humbje. Edhe përmbytjet në Gjermani llogariten me miliarda.

“Statistikat e fatkeqësive të vitit 2021 janë befasuese sepse disa nga ngjarjet ekstreme të motit janë të llojit që ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta ose më të rënda si rezultat i ndryshimeve klimatike”, ka theksuar Ernst Rauch, Shefi i Klimës dhe Gjeoshkencëtar në Munich Re.

Sipas “Reuters”, shumë shkencëtarë pajtohen me faktin se ngjarjet në vitin 2021 u përkeqësuan nga ndryshimet klimatike.

Madje, ata janë të të njëjtit mendim se mund të priten më shumë ngjarje të kësaj natyre pasi atmosfera e Tokës vazhdon të ngrohet gjatë dekadës së ardhshme dhe më tej.

Ndërkaq, viti më i kushtueshëm i regjistruar ka qenë viti 2017, me uraganet Harvey, Irma dhe Maria.

Kurse vite të tjera të rënda kanë qenë viti 2011, kur tërmete të mëdha goditën Japoninë dhe Zelandën e Re dhe viti 2005, kur Uragani Katrina shkatërroi New Orleans-in.

Kështu që, në disa raste siguruesit kanë rritur tarifat që ngarkojnë si rezultat i rritjes së gjasave për katastrofa dhe në disa vende kanë ndaluar ofrimin e mbulimit.

Teksa kompanitë e sigurimit paralajmërojnë për ndryshimin e klimës dhe kostot që lidhen me të, ata janë nën presionin e aktivistëve për të ndaluar sigurimin e industrive emetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore