Shqipëria

Publikimi i listës së pagave: Tre persona mbeten në arrest shtëpie – Eni Qirjako me “detyrim paraqitjeje”


Gjykata e Tiranës ka publikuar vendimin për katër personat e arrestuar në lidhje me publikimin e pagërrjedhjes.

Këta të fundit janë liruar nga qelia. Ndaj Andi Agarajt, Klodian Sotës dhe Endri Ikonomit u caktua masa “arrest në shtëpi”.

Ndërsa për specialisten e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Eni Qirjako, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitjeje”.

Deklarata

Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, do të zbulonte para mediave veprimtarinë dhe mekanizmin e nxjerrjes së të dhënave të 637 mijë e 138 tatimpaguesve, nga të arrestuarit.

Dy prej tyre, sipas Imeraj, ishin punonjës IT-je pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe AKSHI-t.

Fillimisht, specialistja e AKSHI-t, Eni Qirjako, ka pasur qasje në këto të dhëna dhe më pas ia dërgonte mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Kreu i Prokurorisë së Tiranës vuri theksin te dy arrestimet e tjera, të cilët janë punonjës të subjekteve private.

Pra, dy punonjësit e sektorit privat, në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.

Në kuadër të deklaratës të saj, ajo ka ravijëzuar se është konkluduar një fazë e hetimeve paraprake dhe nuk ka ofruar detaje të tjera.

Ndërkaq, Imeraj ka falenderuar edhe kolegët e Policisë së Shtetit për bashkëpunimin gjatë investigimit.

Sekuestro

Prokuroria e Tiranës do të vendoste të enjten e 23 dhjetorit sekuestron mbi serverin e AKSHI-t.

Kjo, pas publikimit të listave me të dhëna të ndjeshme të qytetarëve – ku pasqyrohen pagat dhe të dhënat e tyre personale.

Prokuroria e Tiranës do të niste zyrtarisht të mërkurën e 22 dhjetorit një hetim mbi të dhënat e publikuara.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)

Nga burimet e Albanian Post u mësua se, ndër detajet personale të publikuara, përfshihen të dhënat e të punësuarve me numrin personal të identifikimit, NIPT-in e biznesit ku janë të punësuar dhe pagat bruto të deklaruara.

Prokuroria e Tiranës bënte me dije se dyshimet e para bien mbi të dhëna të dala nga Sigurimet Shoqërore ose nga Drejtoria e Tatimeve.

Edhe serverat e këtyre institucioneve gjenden tanimë nën sekuestron e Prokurorisë.

Kjo ishte hera e dytë kur të dhëna personale të qytetarëve publikohen gjerësisht.

Përpara zgjedhjeve të 25 prillit, çështja e njohur si “patronazhistët”, u bë e njohur për publikun, pas një liste me mbi 900 mijë profile qytetarësh të publikuar.

Ajo përbëhej nga të dhënat e numrit personal të identifikimit si edhe një preferencë e pretenduar partiake.

Por, publikimi i kësaj databaze, e tejkalon shumë herë, për shkak të natyrës së të dhënave që janë shpërndarë.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.

Sot, të enjten e 23 dhjetorit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, është publikuar lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.

Redaksia e Albanian Post ka arritur të sigurojë listën e përditësuar të muajit prill, ku duken qartësisht ndryshimet.

Për arsye etike, ashtu si për të dhënat e janarit, Albanian Post nuk do të publikojë asnjë të dhenë.

Por, pavarësisht kërkimit të faljes publike nga kreu i Qeverisë, duke se çështja vijon të rëndohet, ku rrjedhja e të dhënave bëhet edhe më e madhe dhe indiciet parakrake, sugjestionojnë se edhe pagat e muajve të tjerë mund të jenë në qarkullim.

Ky dokument i dytë, përmban më shumë të dhëna, me 694 mijë e 473 persona pjesë e listës.

Ndërsa i pari ka qarkulluar në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.

Një detaj tjetër i listës, është fakti se këtë herë, të publikuar, janë edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata janë të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore