Lajme

Cramon për punëtorët vietnamezë në Serbi – “Punë e detyrueshme dhe trafikim me njerëz”


Deputetja në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Deputetja nga rradhët e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar për gazetën serbe “Nova” se nevojitet një epilog gjyqësor për gjithçka që është raportuar rreth kushteve skllavëruese të punëtorëve vietnamezë në fabrikën kineze “Linglong” në Serbi.

Për rezolutën urgjente që u miratua rreth disa çështjeve në Serbi, Cramon thotë se qëllimi i saj ishte të ngritet vëmendja e autoriteteve serbe për nevojën që të ketë një epilog gjyqësor rreth çështjes së fabrikës “Linglong”.

“Kjo gjë duhet t’ua kujtojë qeverisë së Serbisë që çështja e Linglong ka nevojë për epilog gjyqësor, për shkak se pesha e çështjes tregon për punë të detyrueshme dhe trafikimin me qenie njerëzore”, ka thënë Cramon.

“Me këtë, ne kemi arritur t’i bindim të gjithë se Linglong dhe protestat ambientaliste janë në radarin tonë dhe se Komisioni Evropian duhet ta ketë të gjithën këtë parasysh kur drafton raporte mbi progresin e Serbisë dhe në të njëjtën kohë në dialog me autoritetet e Beogradit”.

Eurodeputetja njofton se të gjithë që janë marrë me tematikën e fabrikës Linglong kanë qenë në fakt të tmerruar me skenan përreth kësaj punishteje në Zrenjanin, por edhe me dhunën huliganeske të ushtruar ndaj protestuesve ambientalistë.

“Fatkeqësisht, situata është tejet e polarizuar dhe përgjegjësia kryesore bie mbi partinë në pushtet dhe tabloidët e saj. I bëj thirrje Presidentit Vuçiç të qetësojë tensionet dhe të thërret dialog të hapur dhe gjithpërfshirës me partitë politike, aktivistët dhe intelektualët dhe të gjithë ata që mendojnë për rrugën që Serbia duhet të ndjek për 10 vitet e ardhshme”, ka thënë Cramon për Nova.

“Kjo gjë është e rëndësishme, sepse ju them se ne në Bruksel nuk kemi shkop magjik për ta ndrequr atë”, përfundon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore