Kosova

LDK kërkon transparencë për dialogun: Asociacioni nuk duhet të jetë kusht


Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës teksa e ka mbështetur Qeverinë e Kosovës lidhur me qëndrimin refuzues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se asociacioni nuk duhet të jetë kusht për dialogun Kosovë-Serbi.

Derisa kjo parti opozitare ka kërkuar transparencë për çështjen e dialogut, në anën tjetër ka theksuar se dialogu duhet të trajtohet vetëm për arritjen e njohjes reciproke dhe zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.

“Nuk duhet të jetë kusht Asociacioni për dialog. Si parti e kemi qëndrimin sa i përket Asociacionit dhe kryeministri tashmë e ka verdiktin nga Gjykata Kushtetuese. Gjithçka çka është kundër kushtetutës nuk duhet të pranohet. Pres që dialogu të ndodhë vetëm me njohje reciproke dhe të jetë nga ana e Kosovës si pikë kryesore fati i të pagjeturve”, ka thënë deputetja nga LDK, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi, njëkohësisht edhe anëtare e kryesisë së LDK-së, për Kosovapress ka kritikuar qeverinë për mungesën e transparencës në raport me dialogun me Serbinë.

“Është kjo qeveri dhe po të njëjtit njerëz që qeveritë më herët i kanë kritikuar gjithmonë për mos-transparencë, ndërsa tash sa i përket dialogut nuk kemi pasur transparencë”, shtoi ajo.

Deputetja nga LDK, Rrezarta Krasniqi

Deputetja Krasniqi, e cila po ashtu, është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, i ka sugjeruar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të jetë më i matur në raport me deklaratat për Bashkimin Evropian.

Kjo sepse sipas saj, përplasja e fundit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, nuk i bën nder vendit.

“Ajo përplasje nuk ka qenë e duhur, duhet të jemi sa më të matur kur kemi të bëjmë me përfaqësues të institucioneve të BE-së. Ajo përplasje diplomatike nuk i bënë nder vendit tonë”, ka përfunduar ajo.

Ndërkaq, më 20 nëntor të këtij viti, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se s’do të nënshkruajë një marrëveshje finale me Serbinë e cila do të jetë në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

“Për neve është me rëndësi që marrëveshja fillimisht të jetë e mirë, të mos jetë në dëm të qytetarëve, pastaj afati kohor është i një rëndësie por, jo aq primare sa është kualiteti i marrëveshjes. Nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje për të cilën do ta dimë sigurt që është në dëm të qytetarëve”, ishte shprehur Bislimi.

Sipas tij, pala kosovare është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare, por “ka hezitim nga pala tjetër”.

“Ne jemi duke thënë se fokusin kryesor duhet ta kemi tek marrëveshja e përgjithshme, ligjërisht e obligueshme, pala serbe po thotë të merremi njëherë me marrëveshjet tjera të kaluara, pastaj shkojmë të marrëveshja gjithëpërfshirëse”, theksoi Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore