Kosova

Kurti: S’merrem me Asociacionin, është interes i Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është interes i Serbisë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në mbrëmje në emisionin “Desku” në KTV. Sipas tij, për këtë arsye “nuk ka pse të merrem me të”.

“Asociacioni një nga 33 marrëveshjet e arritura, e që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Serbia e përmend pikërisht këtë. Por s’ekziston një hierarki që na thotë se kjo është marrëveshja më e rëndësishme. Për Serbinë po. Por ajo që është më e rëndësishmja për Serbinë, s’është për mua. Për mua është ajo për diploma, ajo për IBM”, ka thënë fillimisht ai.

Sipas tij, për këtë çështje më shumë i bëhet trusni nga vendorët se ndërkombëtarët.

“Dialogu i ardhshëm duhet të jetë parimor, qytetarët përfitues, e dialogu ku s’mund të shkojmë përtej aktgjykime Gjykatës Kushtetuese që praktikisht e ka çmontuar atë ngrehinë”, ka shtuar ai duke theksuar se “asnjëra marrëveshje s’ka mundur të zbatohej sepse aktgjykimi i Kushtetueses s’i lë vend Asociacionit mbi baza etnike”.

“Nuk kam pse të merrem shumë me të. Ai është interes i Serbisë. Është interes i Serbisë dhe këtë s’e harroj. Pse të merrem ditë e natë me interes të Serbisë. Merrem me interesa të Kosovës. ua shpjegoj ndërkombëtarëve qëndrimin tonë, por ai s’është interes as i serbëve të Kosovës”.

“Asnjë s’ka ardhur të më thotë zbatoje. Edhe sa i përket qëndrimit të SHBA-së, me administratën e re karshi Serbisë, edhe me letrat e presidentit Joe Biden kryefjala është njohja e ndërsjellë. Besoj se është obligim dhe detyrë e çdo qytetari që në pikënisje në raport me Serbinë ta ketë kërkesën për njohje, jo për Asociacion”.

“Ajo po thotë s’të njoh kurrë e hajde flasim për Asociacionin. Është gabim. Besoj që kryefjala është njohja e ndërsjellë. Nëse hymë këtu, biem në lojën e Serbisë. Kam përdorur qasje tjetër në takimet në Bruksel. Presidenti i Serbisë mundohet ta arsyetojë. Arsyetohet me të drejtat e serbëve. Sa për të drejtat, po e zbatojmë edhe ne ato Këshillat Nacionale si në Serbi. Nëse dëshiron kërkesën tënde parim le të bëhet e gjithanshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, me Asociacionin Serbia po mundohet të diskutojë për statusin e Kosovës.

Kurti: Dialogu me Serbinë po e vështirëson procesin e njohjeve për Kosovën

Sipas Kurtit, dialogu me Serbinë e ka vështirësuar shumë procesin e njohjeve, pasi shumë shtete presin epilogun e dialogut.

“Edhe ata të cilët nuk të kanë njohur e kanë fituar njëfarë arsyetimi interesant që po ti je në dialog me Serbinë, ta shohim se si po përmbyllet kjo. Nuk është që nuk ka pasur bisedime, unë jam takuar dy herë me presidentin e Serbisë në Bruksel dhe ne kemi një marrëveshje këtë vit e cila ishte e suksesshme, është për targat, me ata stickersat, letrat ngjitëse”, ka thënë Kurti.

Kurti: Po zhvillohemi ekonomikisht edhe pa na njohur Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe pa njohje të Serbisë, Kosova po shënon përparim në zhvillim ekonomik dhe një temë e tillë është hiperbolizuar shumë në opinionin publik.

Kurti ka thënë se e ka mbajtur premtimin për mos ta pasur dialogun në prioritetet e tij, duke u bazuar në vëllimin e kohës që i merr çdo ditë.

“Nëse e shikoni çfarë kam bërë çdo ditë të kësaj qeverisje të dytë, si vëllim kohe nuk është dialogu me Serbinë në tri prioritetet e para, në kuptimi sa më merr koha mua, sa energji më merr, pra ashtu si kam thënë. E kur flas në media e në forume ndërkombëtare, aty dialogu me Serbinë ka më shumë vëllim kohe, pasi detyrohem të përgjigjem”.

“Situata pradigmatike është nga dimensioni i kohës kur pavarësia na njihet në fund, ku së pari ka koncesion. Njohja e ndërsjellë është në qendër. Jemi të vetëdijshëm që marrëveshjen e ardhshme me Serbinë, njohja reciproke është në qendër”.

“Pavarësia e Kosovës nuk varet nga njohja e Serbisë. 9.9 për qind e kemi rritjen ekonomike pa na njohur Serbia. Janë rritur investimet e huaja direkte për 55 për qind. Rritja e të hyrave tatimor është bërë, pa na njohur Serbia. I kemi miratuar 106 projektligje”.

“Kurrë më shumë vizita nga ndërkombëtarët dhe te ndërkombëtare nuk ka pasur se këtë vit, as kur është shpallur pavarësia. Është hiperbolizuar shumë kjo temë. Ne vetëm po tregojmë se mundemi edhe pa Serbinë”, deklaroi Kurti në “Desku” KTV-së.

Kurti përsërit se do të vendoset reciprocitet i plotë me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është duke u përgatitur për të vendosur reciprocitet të plotë me Serbinë.

Kurti, që pati premtuar vendosjen e reciprocitetit pak ditë pasi të marrë pushtetin në shkurt sivjet, ka thënë se “s’mund të bëhen të gjitha gjërat përnjëherë”.

Ai ka njoftuar se në takimet që ka zhvilluar në Bruksel ka bërë propozimin për reciprocitet për çështjen e pakicave.

“Ne po e denoncojmë çdo shkelje të Serbisë. Po përgatitemi mirë që kur të zbatohet të mos ketë asnjë dështim. E kemi për targat, por do ta zbatojmë edhe në të tjera. Kemi bërë propozim për reciprocitet për të drejta”.

“Në bisedimet në Bruksel kam bërë propozim me të cilin kam thënë se të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë e Serbi duhet të jenë në raport reciprociteti. Kjo është refuzuar. Beteja vazhdon, reciprocitetin do ta zbatojmë, mirëpo s’mund t’i bëjmë të gjitha gjërat përnjëherë”, ka thënë ai.

Për premtimin e shkurtit, Kurti ka thënë se “mund të marr vendime që mund të ngelin dëshira të mia, e që s’mund t’i kemi përgatitjet e duhura”.

“Besoj se do ta vendosim reciprocitetin, por paralelisht duhet të zbatojmë strategji që i bën ato të implementueshme”, ka thënë më tej ai.

Kurti ka mohuar se atij i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka thënë se vitin e ardhshëm do të ketë vizitë dhe se për këtë po bëhen përgatitje nga stafi i tij.

Kurti: Qeveria do t’i ndajë likuiditet prej 20 milionë euro KEK-ut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se KEK-ut do t’i jepet likuiditet prej 20 milionë euro për ta mbuluar një pjesë të importit të energjisë elektrike.

Kurti ka folur për situatën me energjinë elektrike të cilën e përshkruajti si më të mirë se dje.

“Në mbledhjen nesër do propozoj në qeveri që t’ia japim një likuiditet prej 20 milionë euro KEK-ut që ta mbulojë një pjesë të importit të energjisë. KEK-ut sepse është ai që jo qeveria drejtpërdrejt me KEDS-in e KESCO-n, por besojmë se më së miri është këtë ta bëjë KEK-u, për shkak se për ne KEK-u është emri i prodhimit por edhe institucioni i energjisë në Kosovë”, ka thënë kryeministri.

Teksa vuri në theks thirrjen e Qeverisë për kursim të energjisë elektrike, Kurti tha se qëllimi është që krah çmimit të lartë të importit, Kosova të dalë me sa më pak humbje.

“Diku më shumë 1/3 e konsumit jemi duke e importuar dhe çmimi nuk është aspak i lirë për shkak të krizës energjike që ka përfshirë gjithë kontinentin. Kam thënë se po na troket në derë kriza energjetike dhe piku është 1.2 megavat dhe maksimumi që ne mund të prodhojmë është 900 megavat. Është zbutur ca situata, kemi bërë thirrje për kursim sepse duhet të jemi bashkë KEK, Qeveri, punëtorët dhe qytetarët që në këtë dimër dhe krizë energjetike të dalim me sa më pak humbje”.

“Nuk u kemi thënë qytetarëve të racionalizojnë shfrytëzimin e energjinë elektrike, jo sepse në parim mendojmë se nuk duhet të shfrytëzohet energjia elektrike, por sepse çmimi i importit është i lartë”.

Kurti ka shtuar tutje se nuk mund të japë kurrfarë paralajmërimi nëse do të ketë shtrenjtim të rrymës në prill, pasi ZRRE-ja e përcakton atë. Ndërsa, foli edhe për strategjinë që Qeveria ka për energjinë elektrike gjatë vitit të ardhshëm.

“Në afatshkurtër do ta bëjmë strategjinë energjetike në 2022 që të mos kemi projekte para strategjisë, por të kemi strategji e më pas projekte. Duhet të dalim sa më shpejtë nga qymyri por nuk varet nga ne, shfrytëzimi i qymyrit nuk është gjë që ne e duam por na imponohet”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e përjashton gazin si formë për sigurimin e energjisë elektrike, por ka deklaruar se nuk mund të hyjnë siç ka thënë, ad’hoc në një projekt për të cilin nuk ka ekspertizë.

Kurti ka thënë se ky projekt parasheh edhe ndërtimin e një termoelektrane për shndërrimin e gazit në energji elektrike, dhe e gjithë kjo do t’i kushtonte xhepit të qytetarëve.

“Ne nuk e kemi përjashtuar gazin në të ardhmen por nuk mund të hyjmë ad hoc në një projekt në të cilin shpenzimet operacionale janë 60% të shpenzimeve kapitale, ku nuk e kemi pas ekspertizën për gaz e ku duhet të ndërtohet një termoelektranë që gazin e shndërron në energji elektrike e ku në fund koston e paguan qytetari”.

“Nuk dëshirojmë që të ngutemi që të hyjmë në gypa për gaz e mandej të mendojmë për strategji. Është gabim në hapa projekti para strategjisë. Më mirë është të mos nxitohemi, të mendojmë mirë dhe më pastaj të bëjmë gjëra të qëndrueshme sesa siç është bërë me ato projektet si Counter Global e të ngjashme”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore