Aplikacione

BE: Rregulla të reja për përmbajtjen e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve


Në vendet e Bashkimit Evropian, firmave të internetit do t’u kërkohet të zbulojnë, raportojnë dhe heqin përmbajtjen e abuzimit seksual të fëmijëve.

Lëvizja vjen falë propozimeve të Komisionit të BE-së që do të shpallen së shpejti.

Ylva Johansson, komisionerja e çështjeve të brendshme të BE-së, ka thënë të martën e 7 dhjetorit se ka në plan të paraqesë legjislacionin e ri në fillim të vitit të ardhshëm, tregon faqja “EUobserver”.

“Do të propozoj legjislacionin për ta bërë të detyrueshëm për kompanitë zbulimin, raportimin dhe heqjen e materialeve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve”, ka zbuluar ajo në një panel diskutimi.

Johansson ka njoftuar edhe planet për të krijuar një qendër të re të BE-së.

Sipas saj, qendra do të bashkojë përpjekjet për të parandaluar, hetuar dhe ndihmuar viktimat.

Kjo vjen pasi ekspertët kanë zbuluar se vetëm BE-ja përbën më shumë se 70 për qind të të gjithë materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në botë.

Eurodeputetja liberale belge, Hilde Vautmans, ka treguar se të paktën një në pesë fëmijë është viktimë e një forme të dhunës seksuale.

Ajo është bashkë-kryesuese e një grupi të Parlamentit Evropian për të drejtat e fëmijëve.

“Është një pandemi hije e vërtetë”, është shprehur ajo për situatën e rëndë të abuzimeve me fëmijët.

Por, edhe Mbretëria e Bashkuar është e prekur gjerësisht nga fenomeni.

Vitin e kaluar, thuajse nëntë milionë përpjekje u bënë në atje për të aksesuar imazhet dhe videot e abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Madje, Shoqata Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se kishte mbi 90 mijë abuzime seksuale ndaj fëmijëve.

Ndërsa 200 mijë fëmijë të tjerë kanë dërguar, marrë ose u është kërkuar t’i dërgojnë përmbajtje seksuale një të rrituri.

Megjithatë, propozimet e komisionit ka të ngjarë të hapin debate mbi privatësinë, një e drejtë themelore në BE.

Gjithashtu do të pasojnë debatet mbi rregullat në direktivën e BE-së për privatësinë elektronike, e cila hyri në fuqi dhjetorin e kaluar.

Direktiva përfshinte dispozita që parandalonin firmat nga monitorimi i postës elektronike, aplikacionet e mesazheve dhe platformat e tjera online në BE.

Megjithatë, Johansson ka propozuar legjislacionin e urgjencës për të anashkaluar përkohësisht rregullat, duke lejuar shërbimet e postës elektronike dhe mesazheve të bazuara në faqe interneti të vazhdojnë të zbulojnë, heqin dhe raportojnë abuzimin seksual të fëmijëve në internet.

Disa kritikë kanë ravijëzuar se lëvizjet mund të përfundojnë duke e shtyrë më tej abuzimin.

Kurse të tjerë janë të mendimit se përpjekjet për të automatizuar ekzaminimin mund të çojnë në rezultate të pasakta, ndoshta duke inkriminuar njerëz të pafajshëm.

Ndër kritikët më të vendosur është eurodeputeti i gjelbër gjerman, Patrick Breyer.

Në fillim të këtij viti, në një deklaratë, ai i ka përcaktuar masat e përkohshme të Johansson mbi direktivën e privatësisë elektronike si të paligjshme.

Sipas tij, ato lejojnë të gjithë ofruesit të kontrollojnë automatikisht dhe pa dallim të gjitha postat elektronike personale dhe mesazhet e çdo qytetari.

“Kjo ka një efekt ftohës në ushtrimin e të drejtave themelore në internet, duke përfshirë fëmijët dhe viktimat, pakicat, njerëzit LGBTQI, disidentët politikë, gazetarët e të tjerë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore