Kosova

Kurti takohet me Varhelyi, flasin për reformat në drejtësi dhe zbatimin e planit ekonomik


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e shtatë dhjetorit në Bruksel është takuar me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Varhelyi përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se gjatë këtij takimi bashkë me Kurtin diskutuan për reformat në drejtësi dhe zbatimin e planit ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Me kryeministrin Kurti përpara takimit të sotëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE-së për Kosovën, diskutuam rëndësinë e zbatimit të shpejt të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, punën e vazhdueshme për reformat, përfshirë reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar”, ka shkruar Varhelyi.

Ndërkaq, Kurti, pas arritjes në Bruksel, është pritur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.

Ai ka udhëtuar në Bruksel për të zhvilluar mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) që do të mbahet të martën e shtatë dhjetorit.

Pjesë e këtij udhëtimi është edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Delegacioni i plotë i kabinetit qeveritar i Kosovës përbëhet nga Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.

Përveç tyre, pjesë e delegacionit janë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore