Kosova

Kurti bashkë me delegacionin e Kosovës udhëtojnë për në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri, Albin Kurti, ka udhëtuar në Bruksel për të zhvilluar mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) që do të mbahet të martën e shtatë dhjetorit.

Kështu është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit, teksa theksohet se do të diskutohet mbi marrëdhënien bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar në Bruksel për të zhvilluar mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) që do të mbahet nesër, 7 dhjetor”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Me Përfaqësuesin e Lartë të saj për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, do të diskutohet mbi marrëdhënien bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Sipas këtij njoftimi, thuhet se pjesë e këtij udhëtimi është edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Delegacioni i plotë i kabinetit qeveritar i Kosovës përbëhet nga Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati”.

Përveç tyre, pjesë e delegacionit janë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore