Kosova

BE-ja “po e zvarrit” dialogun, kërkohet përfshirje më e madhe e SHBA-ve


Ilustrim

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dialogun Kosovë-Serbi, po shihet si dobi-prurëse për Kosovën. Kjo për shkak ,“të zvarritjes së këtij procesi nga ana e Bashkimit Evropian”.

Dështimi i takimit trepalësh në Bruksel, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare po konsiderohet si mungesë e imponimit të BE-së karshi palës serbe për agjendën e diskutimit.

Sipas, Dritëro Arifit- njohës i procesit të dialogut, qëllimi i BE-së “është krijimi i një ambienti paqësor në rajon përmes dialogut”.

“Dështimi po tregon se palët nuk janë të interesuara për të zgjidhur problemin. BE-ja duhet të jetë më serioze me temat. Jemi duke e ripërsëritur se kështu nuk mundet të zhvillohet dialogu mes dy shteteve të armiqësuara. Duhet një imponim më i fuqishëm. Do të jetë e paevitueshme ri-kyçja e SHBA-ve në procesin përfundimtar”, është shprehur Arifi për Kosovapress.

Teksa thotë se edhe nëse ndodhë takimi, sërish do të del e njëjta qasje, pasi sipas tij, “nuk ka zgjidhje”.

Dritëro Arifi – njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Arifi theksoi se pala kosovare, duhet të thotë se Serbia është problemi në Ballkan.

“Por, ende nuk ka një vendim politik si në BE, si në Ëashington si t’i qasen Serbisë. Ne nuk kemi kohë të presim, duhet të lobojmë fuqishëm më agresiv tek partnerët tanë se si ta përfundojmë shpejt dialogun. Në të mirën e Kosovës është që të përfundojë dialogu sa më shpejt, pasi problemet tjera janë duke u akumuluar dhe mos zhvillimi i Kosovës është humbje”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Arbër Fetahu – hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, përfshirjen e SHBA-ve në procesin e dialogut e sheh si mirëseardhje për Kosovën.

“Imponimi i SHBA-ve është i mirëseardhur për Kosovën. Marrë parasysh se SHBA-të kanë pikëpamje të qartë sa i përket Kosovës dhe shtetësisë së saj. Edhe letra e Biden tregoi që dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke. Çdo përafrim me SHBA-të i bën nder Kosovës”, u shpreh ai.

Arbër Fetahu – hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike

Ndërkaq, të mërkurën e 17 nëntorit në Bruksel kanë përfunduar bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit evropian, por pa takim trepalësh mes tyre.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për bisedime, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se temat e diskutimit kanë qenë energjia, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për bisedime, Mirosllav Lajçak

Bislimi ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh, dhe sipas tij pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë sepse ato, sipas tij, “duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore