Kosova

Abbot bënë homazhe në Krushkë të Madhe


Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott

Gjatë ditës së enjte, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka bërë homazhe pranë memorialit në Krushë të Madhe.

Abbott nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, thotë se këtë homazh e ka dedikuar pasi që njerëzit në Britaninë e Madhe kanë kujtuar të gjithë ata që kanë vdekur gjatë luftërave.

“Sot njerëzit në Britaninë e Madhe kanë kujtuar të gjithë ata që kanë vdekur gjatë konflikteve. Në këtë ditë përkujtimi kam bërë nderime pranë Memorialit në Krushë të Madhe. Nuk duhet harruar humbjen dhe sakrificën e kaq shumë njerëzve”, ka shkruar Abbott në Facebookun e tij.

Nicholas Abbott, homazhe pranë memorialit në Krushë të Madhe

Po ashtu, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën botërore të përkujtimit të veteranëve të luftës, ka theksuar se duhet kujtuar e nderuar ata që luftuan dhe vdiqën për lirinë që gëzohet tani nga brezat e rinj.

Kështu është shprehur ai në një postim në llogarinë e tij në Twitter.

“Sot e mbajmë mend që nacionalizmi i skajshëm është zhytur në kontinentin tonë, dy herë në Luftëra Botërore duke shkaktuar tragjedi njerëzore, humbje tejet të mëdha dhe vuajtje.  Le t’i kujtojmë dhe nderojmë ata që luftuan dhe vdiqën që ne të jemi të lirë”, është shprehur Kurti.

Ndërkaq, gjatë të enjtes së 11 nëntorit, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, në ceremoninë e përvjetorit të Armëpushimit të datës 11 nëntor të 1918 që i dha fund Luftës së Parë Botërorë deklaroi se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri.

“Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri dhe duhet të zhvillohet me një frymë konstruktive dhe të hapur, pasi kjo është forma e vetme për të arritur pajtimi në mes dy vendeve dhe një të ardhme të përbashkët”, tha Christine Butel.

Ndërsa, konsideron që arritja mes Gjermanisë dhe Francës është shembull për të gjithë rajonin, pasi mësimi i luftës nuk mund të jetë mbajtja e inatit të një populli kundër tjetrit.

“Dialogu edhe pse i gjatë dhe i vështirë është një domosdoshmëri që duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive dhe të hapur. Kjo është rruga qe Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin tani për të arritur pajtimin dhe për të qenë në gjendje të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët”, u shpreh ajo.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel

Ambasada e Francës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë përkujtuar këtë ditë, duke bërë homazhe tek varrezat e krishterëve në Prishtinë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se në këtë ditë përkujtojnë një luftë të tmerrshme që solli vuajtje të mëdha dhe la gati 20 milionë të vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore