Kosova

Shoqata Sindikale e Postës kërkon dorëheqjen e bordit dhe U.D kryeshefes, e akuzojnë për keqmenaxhim


Kryetari i Shoqatës Sindikal të Postës, Liridon Mirena

Shoqata Sindikale e Postës së Kosovës, gjatë ditës së enjte ka mbajtur një protestë, për siç është thënë, keqpërdorimin dhe keqmenaxhimin në këtë ndërmarrje publike.

Kryetari i Shoqatës Sindikal të Postës, Liridon Mirena, ka thënë se shkak i keqmenaxhimit ka ardhur deri të plaçkitja e 40 mijë eurove që ishin parapa për asistenca sociale.

“Heshtja pas plaçkitjes së 40 mijë eurove me ç’rast jo vetëm që është dëmtuar rëndë Posta e Kosovës, por edhe punëtorët janë rrezikuar me jetë, është papërgjegjësi e pafalshme e BPD, UD, KE dhe Menaxhmentit. Edhe pas kësaj plaçkitje punëtorët vazhdojnë të vihen para rrezikut të njëjtë për jetë”, ka thënë ai.

Kryesindikalisti Mirena ka drejtuar akuza për keqmenaxhim nga Ushtruesja e Detyrës së kryeshefes, Fakete Kadiu.

“Dorëheqja e parevokueshme e Bordit të Përkohshëm, U.D kryeshefes, Fakete Kadiu, U.D, të drejtorit të Resureve Njerëzore, Petrit Karakashi, drejtoreshën e Operativës, Saranda Isufi, si dhe dorëheqja e Komisionit për Ristrukturim të Postës”, ka thënë Mirena.

Kryetari i Shoqatës Sindikal të Postës, Liridon Mirena

Mirena ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të Postës për shkak të keqmenaxhimeve.

“Dorëheqjet që kërkohen për shkak të keqmenaxhimit të skajshëm, abuzimit, dëmtimit të Postës dhe punëtorëve të Postës, kërcënimeve, shantazheve, paaftësisë për nxjerrjen e Postës nga kriza, si dhe organogramit të ri të Postës, sipas interesave të një grupi të paaftë dhe keqpërdorues”, ka thënë ai.

Albanian Post me gjashtë nëntor kishte raportuar me detaje për plaçkitjen e 40 mijë eurove të cilat ishin të asistencave sociale.

Këtë plaçkitje e kishte pranuar edhe U.D Kryeshefja e Postës, Fakete Kadiu, duke konfirmuar se bartja e shumave të mëdha të parave bëhet nga punëtorët, e jo nga kompanitë e specializuara.

Po ashtu, Albanian Post, kishte siguruar edhe vendimin kur Petrit Karakashit i ulet pozita nga komisioni disiplinor, sepse vërtetohet se ka dëmtuar postën në vlera të mëdha parash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore