Kosova

Konjufca: Kuvendi i Kosovës më transparenti krahas vendeve të rajonit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se institucioni që drejton është me nivelin më të lartë të transparencës ndër vendet e rajonit.

Pa treguar statistikat apo burimin e krahasimit, Konjufca ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme.

“Për neve është e çmueshme për arsye se ne i realizojmë objektivat tona që janë për interesin e qytetarit të Kosovës, kështu që për këto vite si institucion përfaqësues Kuvendi ka arritur që duke përfshirë shoqërinë civile ta kthejmë në nivelin e transparencës e që është ndër vendet e para në rajon. Ky takim le të na shërbejë si nevojë për diskutim për atë se çka është arritur deri tash”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim organizatat partnere të Kuvendit.

Konjufca bëri të ditur se demokracia parlamentare është baza e zhvillimit të sistemit politik, duke shtuar se roli i Kuvendit për zhvillimin e vendit është qendrore.

“Ka qenë takim i nevojshëm dhe i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, për shkak se unë besoj se demokracia parlamentare është baza e zhvillimit tonë dhe sistemit tonë politik. Meqenëse edhe me Kushtetutë ne jemi demokraci parlamentare, roli i Kuvendit për zhvillimin e vendit është qendror”, ka thënë Konjufca gjatë një takimi me organizatat partnere të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka treguar edhe për fushat integruese që ka arritur Kuvendi i Kosovës.

“Në fushën integruese janë forcuar kapacitetet me njësi të reja si Qendra Burimore për Integrime Evropiane, kurse në agjendën globale, Kuvendi i Kosovës si vend vullnetarë është një ndër vendet e pakta që e ka edhe këshillin për zhvillim të qëndrueshëm, dhe që katër vite është pjesë e rrjetit parlamentar kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se Kuvendi i Kosovës zhvillon 13 projekte të partneritetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore