Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në listën e zezë firmën izraelite të armëve kibernetike NSO Group dhe Candiru për dëmtim “të sigurisë dhe interesave kombëtare”.
Departamenti Amerikan i Tregtisë shtoi firmat izraelite së bashku me kompani nga Rusia dhe Singapori, në një listë që cenon sigurinë kombëtare të SHBA-ve, shkruan e përditshmja izraelite Haaretz.
Mjetet e spyware, sipas deklaratës së Departamentit, u përdorën për të shënjestruar zyrtarë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave.
Grupi NSO është firma më e madhe e spiunazhit kibernetik në Izrael, me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
Kompania është e specializuar në hakerimin e telefonave celularë.
Candiru, ndërkaq, është e specializuar në hakerimin e kompjuterëve.
Shqipëria në “hartë”
E përditshmja izraelite “The Marker”, pjesë e grupit mediatik “Haaretz”, zbulonte më 30 shtator se në serverat shqiptarë ishin regjistruar gjurmë të software-it “spiunues” Candiru.
Kjo u njoftua përmes kompanisë së famshme kibernetike ESET, një nga kompanitë më të vjetra dhe më të mëdha sllovake në fushën e sigurisë së informacionit.
ESET publikoi disa informacione në lidhje me Candiru-n, kompaninë sulmuese kibernetike me seli në Tel Aviv.
Raporti i ri i ESET theksonte se, gjatë korrikut të kaluar, një sulmues i quajtur DevilsTongue (Gjuha e Djallit) u zbulua që i atribuohej kompanisë kibernetike të dyshimtë, Candiru.
Software u është shitur subjekteve të treta që mund ta përdorin atë për të spiunuar një sërë viktimash, përfshirë aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, aktivistë dhe politikanë.
“Studiuesit e ESET kanë gjetur tregues të këtij sulmi në dhjetë kompjuterë të vendeve, si: Shqipëria, Rusia, Izraeli, Autoriteti Palestinez dhe Turqia”.
Historiku i Candiru-s
Korrikun e kaluar, Microsoft dhe Google raportuan një seri dobësish të reja (Zero Day), që u zbuluan në sistemin operativ Windows dhe në shfletuesin e njohur Chrome të Google.
Dobësitë u përdorën nga Candiru për të sulmuar objektiva në rreth 100 vende të ndryshme, nga Irani dhe Libani në Spanjë e deri në Britani.
Në një studim të kryer nga organizata digjitale e të drejtave “Citizen Lab”, u zbulua se cilat fusha (adresa web-i) përdornin klientët e Candiru-s në sulmet e tyre.
Sipas “Citizen Lab”, në mesin e objektivave ishin aktivistë të të drejtave të njeriut, disidentë, gazetarë, aktivistë dhe politikanë.
“Gjëra të ngjashme u zbuluan në lidhje me kompaninë simotër NSO”.
“The Marker” shkruan në artikullin e saj se shtete, si Katari, Uzbekistani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me sa duket, po ruajnë dy zgjidhje.
Software NSO për celularët dhe Candiru për kompjuterët.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë