Shqipëria

Blinken-Borrell: Bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – të shkojnë përpara


Nga e majta, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell

Gjatë takimit të zhvilluar në Washington, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ravijëzoi Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetarin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, se bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – duhet të shkojnë përpara.

Detajet e bisedimeve mes të dy zyrtarëve u zbuluan nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, në faqen zyrtare të DASH-it, të enjten e 14 tetorit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Blinken shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ka pasur në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor – referuar procesit të zgjerimit.

“Sekretari Amerikan ripohoi rëndësinë e qëndrueshme të partneritetit SHBA-BE dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të punuar së bashku me BE-në për t’u përballur me sfidat e përbashkëta”, shkruhet fillimisht në deklaratë.

Ndër të tjera, dy zyrtarët e lartë diskutuan në lidhje me zhvillimet në Afganistan. Kjo, në prag të nisjes së Dialogut të Nivelit të Lartë SHBA-BE mbi Rusinë dhe takimit tjetër të nivelit të lartë të Dialogut SHBA-BE mbi Kinën, i cili do të ndodhë më vonë gjatë vitit.

Blinken mirëpriti strategjinë e BE-së për Indo-Paqësorin dhe u dakordësua për nisjen e konsultimeve të nivelit të lartë mbi Indo-Paqësorin në fund të vitit 2021.

Sekretari falënderoi gjithashtu Përfaqësuesin e Lartë për rolin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në takimin e parë të suksesshëm të Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë SHBA-BE.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell

Lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë dhe efektin e tyre në rimëkëmbjen ekonomike globale, zyrtarët ranë dakord të mbanin një takim ministror të Këshillit të Energjisë SHBA-BE në fillim të vitit 2022.

“Sekretari riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një BE më të fortë dhe më të aftë që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale dhe është në përputhje me NATO-n”, shkruhet më tej.

Në përmbyllje deklarata zbulon se Blinken dhe Borrell nënvizuan synimin e tyre për të nisur një dialog të dedikuar për sigurinë dhe mbrojtjen, siç ishte rënë dakord në Samitin e Qershorit SHBA-BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore