Kosova

NATO: Aksioni në Veri – veprim për vendosjen e ligjit


Ilustrim

Pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës, Aleanca veri-atlantike (NATO), aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave e sheh si “veprim për vendosjen e ligjit”, dhe se misioni i KFOR-it është në komunikim me autoritetet relevante.

“Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës. Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Kështu ka thënë një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, duke shtuar se NATO “mbetet tërësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Po ashtu, në reagimin e tij, thuhet se “KFOR-i vazhdon të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së fundit për shtensionimin e ngjarjeve që kanë arritur Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Kështu ka thënë ai duke iu referuar pajtueshmërisë së arritur më 30 shtator.

Marrëveshja e arritur në Bruksel përmban tri pika kryesore:

“Njësitet speciale policore të vendosura në pikë-kalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë”.

“Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme”.

“Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

Aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Nga ky aksion mbeten të lënduar 10 zyrtarë policorë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë”, ishte shprehur ai në një konferencë për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore