Kosova

“Të mirat” dhe “të këqijat” nga Samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor


Ilustrim: Samiti midis Be-së dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë

Megjithëse ende s’ ka ndonjë afat të caktuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kjo gjë e bën këtë proces “të largët e shpesh të pakuptimtë”.

Megjithatë, gjashtë liderët ballkanas më gjashtë tetor u mblodhën në Samitin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, nga i cili doli një deklaratë e përbashkët për shtyp, që shpërfaqi rrjedhojat e takimit.

Sipas analistit politik, Visar Ymerit, fakti që nuk ka aspak gatishmëri për afatizim të integrimit “e bën këtë proces të largët, shpesh të keqkuptuar, e përgjithësisht impotent në aspektin e fuqisë normative që BE-ja duhet ta ketë”.

Por, përkundër këtij afati të pa caktuar, Visar Ymeri, ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, për Albanian Post, ka thënë se samitet e tilla janë të dobishme. Kjo, për arsye të fokusimit në nevojën për integrime rajonale në fushën e zhvillimit ekonomik, sigurisë e interkonektivitetit.

“Pozitive do ta quaja shtimin e insistimit të BE-së për Agjendën e përbashkët të gjelbër, dhe për tranzicionin e ekonomive tona drejt mbrojtjes së mjedisit e shfrytëzimit racional e të qëndrueshëm të resurseve”, ka thënë Ymeri.

Visar Ymeri, ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tani analist politik

Siç thotë ai, në deklaratën e përbashkët të këtij samiti, mund të lexohet edhe kërkesa për diversifikim të burimeve energjetike kah rritja e energjisë së ripërtëritshme.

“BE përmes kësaj deklarate i zoton afërsisht 30 miliardë euro për grante e investime në vendet e rajonit për shtatë vjetët e ardhshme, gjë që është e mirëseardhur”, shtoi ai.

Por, kjo deklaratë sipas Ymerit është “skajshmërisht e përgjithësuar”, duke mos i veçuar shtetet që paraqesin problem më shumë se tjerat në çështjet e sigurisë dhe përshtatjes me politikën e jashtme të BE-së.

“Në të dyja këto raste Serbia paraqet një problem madhor, sikur në politikën e jashtme që ndjek karshi Rusisë dhe Kinës, ashtu edhe në paraqitjet e saj të shtuara militare karshi Kosovës. Ky mos qortim në Beograd lehtë mund të kuptohet si tolerim”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi për ta pagëzuar ndryshe “Ballkanin Perëndimor”, në “Ballkani Perëndimor gjashtë”. Dhe, një propozim i tillë po shihet si shtesë e nevojshme gjatë deklaratës.

Mirëpo, sipas Ymerit, një qasje kritike e Kurtit karshi BE-së dhe vendeve anëtare do të ishte e domosdoshme në disa aspekte.

Të insistohet e të bëhet i dukshëm mospajtimi ynë me sjelljen militariste e luftë nxitëse të Serbisë që e kemi parë javët e fundit. Nuk mjafton të përmendet shkarazi në fund të fjalimit. Kurti është dashur ta gjejë një formë më të fuqishme për ta shprehur mospajtimin dhe shqetësimin e Kosovës me këtë sjellje të Serbisë dhe përmes kësaj proteste kjo çështje të jetë një ndër temat qendrore të Samitit”.

“Nuk guxojmë të sillemi sikur ky kërcënim nga Serbia nuk ka ndodhur”, shtoi Ymeri.

Madje një refuzim i Kurtit ndaj takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “do të duhej të bëhej në shenjë proteste”.

“Kjo do ta shndërronte kërcënimin në temë të Samitit. Në Deklaratën e përbashkët flitet për të gjitha kërcënimet potenciale të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni dhe BE, deri edhe për situatën në Afganistan. Por, asnjë fjalë për tankset, MIG-ët e autoblindat e Serbisë në kufi të Kosovës”.

Në anën tjetër, pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit është parë si frymë pozitive nga njohësi i politikës së jashtme nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus, Emir Abrashi.

“Forume të tilla janë mundësi e mirë për Kryeministrin, për të ndikuar në ndryshimin e perceptimit për Kosovën, por edhe për të shtyrë para çështjet me interes për Kosovën”, tha Abrashi për AP.

Liderët evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Brdo-s

Mirëpo, përpos fjalëve të bukura, “as ky Samit, nuk arriti që ta nxjerrë në pah një strategji konkrete të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor”.

Abrashi, këtë e sheh si të pamundur momentalisht. Kjo për shkak se ka të bëjë me gatishmërinë e shteteve të Ballkanit për tu anëtarësuar në BE.

“Ani pse ka një dëshirë dhe një synim të shteteve të rajonit për t’ju bashkuar BE-së, këto vende akoma kanë probleme me nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar – gjë që për BE-në paraqet një problematikë e cila duhet zgjidhur para se të ndodhë anëtarësimi”.

Emir Abrashi, njohës i politikës së jashtme nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus

E dyta, sipas tij është çështja ende e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja ka tashmë dhjetë vjet që vazhdon, mirëpo ende nuk e kemi arritur synimin e dëshirueshëm të këtij procesi – që është fillimisht normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve, e më pas arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse e ligjërisht e obligueshme”.

E treta, por jo edhe nga rëndësia, BE-ja ndodhet në një fazë “kur ka një rritje të ekstremizmit të djathtë në të gjitha shtetet anëtare të saj.

“Duke pasur parasysh se vendimmarrja brenda BE-së bëhet me unanimitet, kjo e paraqet një sfidë tjetër për BE-në, për të vazhduar drejt zgjerimit në juglindje”.

Megjithatë, Abrashi ka potencuar se duke pasur parasysh rritjen e prezencës ruse dhe kineze nëpër vendet e rajonit, BE-ja do të detyrohet që të përshpejtojë procesin e zgjerimit, në mënyrë që t’ia pamundësojë qasjen kaq të lehtë influencave të tjera.

”Zgjerimi është akoma një opsion real, i cili mbase merr kohë, por i cili në fund të ditës do të ndodhë nga halli, nëse jo nga hatri”.

Ndërkaq, Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, në një shkrim në Facebook, ka radhitur “të mirat dhe të këqijat”, nga ky samit.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha

Sipas tij, në pjesën pozitive hyn, Ballkani ende si prioritet. Dhe përveç kësaj, edhe “zbutja” e qëndrimit të Spanjës, liria e lëvizjes në Ballkan, dhe Kosova – prioritet për BE-në.

“Është puna e madhe që 27 liderë të bllokut më të fuqishëm politik dhe ekonomik në botë të ndajnë një ditë të terë për të diskutuar 6 vende të vogla të Ballkanit. Kjo ishte hera e parë që Spanja morri pjesë fizikisht në të njëjtin takim ku është ulur edhe Kryeministri i Kosovës”.

“Kosova është prioritet për BE-ne. Por vetëm në kuptimin e dialogut me Serbinë. Rrjedhimisht, arritja e marrëveshjes për targa u cilësua i ‘marrëveshje e shkëlqyeshme’”.

Ndërsa si të keqe e ka cilësuar konfirmimin e status-quos dhe liberalizimin e vizave që “nuk ishte as temë”.

“Nuk ka asnjë fjalë optimizmi për përshpejtimin e procesin të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Përveç Komisionerit për Zgjerim, askush tjetër nuk ka përmend çështjen e liberalizimit të vizave nga ana e BE-së. Pak a shumë kjo çështje ka kaluar nga e pa rëndësishme në inegzistente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore