Shqipëria

Xhaçka: BE-ja, paqartësi për hapat e mëtejshëm të rajonit në procesin e integrimit


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me kryetaren e OSBE-së, Ann Linde se Bashkimi Evropian ka paqartësi lidhur me hapat e mëtejshëm të rajonit në procesin e integrimit.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së, Vincenzo del Monaco apo ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad.

Nga e majta Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad, dhe ambasadori i OSBE-së, Vincenzo del Monaco

Në vijim, Xhaçka tha se vëmendja e presidencës suedeze të OSBE-së ka sjellë mesazhe angazhimi dhe mbështetjeje për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta.

Ministrja garantoi se autoritetet shqiptare mbeten të gatshme për të ndarë eksperiencën e tyre – në krye të OSBE-së.

Për Xhaçkën, Shqipëria ka dhënë prova të pakundërshtueshme sa i takon transformimit përmes angazhimit multilateral.

 

Një nga garancitë, sipas ministres, do të mbetet bashkëpunimi mes palëve për të çuar përpara edhe prioritetet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Olta Xhaçka i uroi suksese Linde-s për muajt e mbetur të kryesimit të OSBE-së.

Suedia mbështet aderimin e Shqipërisë në BE

Kryetarja e OSBE-së, që mban postin e ministres për Punët e Jashtme në Suedi, Ann Linde, garantoi në fjalën e saj se Suedia mbështet aderimin e Shqipërisë në BE dhe plotësimin e reformave prej autoriteteve shqiptare.

Duke vënë theksin tek reformat, Linde, solli në vëmendje çështje si; të drejtat e njeriut, barazia gjinore, reforma në drejtësi apo edhe çështjet klimaterike.

Kryetarja e OSBE-së, Ann Linde

Linde u shpreh ndër të tjera se Shqipëria duhet të përfitojë nga ekspertiza e saj për të përmbushur përparësitë e saj.

Ministrja suedeze kujtoi takimin gjatë muajit tetor me ministrin e Punëve të Brendshme në Suedi për ndihmën midis të dy shteteve. Kjo, për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ruajtur rendin e sigurisë evropiane.

“Një nga përparësitë e misionit tonë të OSBE-së”, shtoi Linde,” ka qenë puna dhe projektet në terren, përmes hapave të vogla drejt politikave të qëndrueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore